Vetëm pak orë pas publikimit të vendimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të mos e rikandiduar Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e ardhshme lokale, ka ardhur një reagim i fuqishëm nga vetë Ramiz Lladrovci – dhe një valë përkrahje e jashtëzakonshme nga qytetarët.
Në një postim të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Lladrovci ka shprehur vendosmërinë për të mos u zmbrapsur dhe ka paralajmëruar qartë se do të rikandidojë për të udhëhequr komunën edhe për një mandat tjetër.
Ky reagim ka shkaktuar jehonë të menjëhershme në opinionin publik dhe rrjetet sociale. Brenda më pak se një ore, postimi i tij ka grumbulluar mbi 3,000 pëlqime, rreth 400 shpërndarje dhe afro 600 komente, shumica dërrmuese prej tyre përkrahëse dhe inkurajuese ndaj Lladrovcit.
Përkrahësit e tij e kanë vlerësuar guximin dhe vendosmërinë e tij për të qëndruar pranë qytetarëve të Drenasit, duke e konsideruar si një lider që “nuk i nënshtrohet vendimeve të imponuara” dhe “mban fjalën për qytetarët”.
Reagimi i fuqishëm publik vjen në një moment kritik për PDK-në, që pritet të përballet me një garë të fortë në këtë komunë me rëndësi të veçantë elektorale. Me rikandidimin e paralajmëruar nga vetë Lladrovci, gara për Drenasin merr një tjetër dimension, duke sjellë në vëmendje rolin vendimtar që do të luajnë votuesit në këtë komunë në zgjedhjet e ardhshme.
Lladrovci ka qenë kryetar i Drenasit që nga viti 2016 dhe njihet për qasjen e tij direkte dhe shpesh të ashpër në politikë, si dhe për një bazë të fuqishme elektorale në komunë.

