Të paktën 112 patentë shoferë janë konfiskuar brenda pesë ditësh në Gjakovë.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, këta patentë shoferë janë konfiskuar për kundërvajtje të ndryshme, si tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mos ndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë.
Ndërsa, konfiskimi është bërë në kuadër të planit operativ “Droni”.
“Duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e mjeteve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve, si masa preventive dhe ndëshkuese në kuadër të aktiviteteve të kësaj task force, nga data 24.05.2024 e deri me datën 28.05.2024, janë konfiskuar si masë mbrojtëse njëqind e dymbëdhjetë (112) patentë shoferi për kundërvajtjet të ndryshme, ndër të tjera për: tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mos ndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë etj”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe 902 gjoba për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalime të shpejtësisë, përdorimi i telefonit dhe mos vendosja e rripit të sigurisë gjatë ngasjes.

