Ministria e Drejtësisë ka thënë se nga fillimi i procesit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, janë shpenzuar 32 milionë e 944 mijë e 287 euro për mbrojtjen juridike të tyre.
Sipas MD’së, nga kjo shumë 5 milionë e 353 mijë e 301 euro janë shpenzuar për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, shkruan Reporteri.net.
Ministria ka thënë se pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar përmes përkrahjes së vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim.
Reagimi i Ministrisë vjen pas postimit të deputetit të PDK’së, Artan Behrami, i cili mbrëmë deklaroi se Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për financimin e mbrojtjes së Presidentit Thaçi, por se “Albulena Haxhiu i ka refuzuar të gjitha kërkesat”.
“Për UÇK-në nuk kanë para! Madje as fjalë të mira. Edhe atë në fazën më të rëndësishme të procesit, kur dëshmitarët e mbrojtjes do të jenë përcaktues për fitoren e krerëve të UÇK-së.
Por, nashtë! Mirë që gjërat dalëngadalë po bëhen të qarta. Lirisht zhvishni kostumet me stemë të Republikës së Kosovës dhe vishni ato të Gjykatës Speciale. Me dhe pa mbështetje, ju dhe Gjykata Speciale betejën për ndërrim të historisë keni me humbë!”, ka shkruar Behrami./