Telenews

Më shumë se dy javë pa rroga, punonjësit e RTK-së sot një orë grevë si shenjë revolte

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka njoftuar se sot do të mbajë grevë njëorëshe nga ora 11:00 deri në 12:00, për të protestuar ndaj situatës financiare të vështirë dhe mospagimit të pagave për muajin nëntor, pasi kanë kaluar 16 ditë pa marrë asnjë pagesë.

Greva pritet të mbahet në oborrin e RTK-së.

Kryetari i sindikatës, Gëzim Bimbashi, ka theksuar se njëkohësisht është dërguar një letër tek liderët evropianë, përfshirë Roberta Metsola, Ursula von der Leyen dhe Viola von Cramon, ku janë informuar për situatën e rënduar financiare të RTK-së.

Njoftimi i plotë i Bimbashit

LETËR PUBLIKE

Nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)

Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së njofton opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare se gjatë ditëve të fundit kemi dërguar letra zyrtare:

• Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian

• Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian

• Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian

Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.

Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.

Për të shprehur revoltën tonë dhe për të mobilizuar solidaritetin, njoftojmë se të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe. Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.

Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.

Të ngajshme

Një kompleks që flet me detaje Luxury Residence nga ACE GROUP

Valjeta Turkaj

Osmani: Vonesën 9-mujore nuk e kam shkaktuar unë, seanca të mbahet brenda afatit kushtetues

Valjeta Turkaj

Plagosja e ushtarit, FSK: Rasti ndodhi aksidentalisht, arma e përdorur nuk është zyrtare

Valjeta Turkaj