Telenews

Miftaraj: Vendimi për dy pensione nuk është i ri, Qeveria po vazhdon të mos zbatojë plotësisht aktgjykimet

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar lidhur me raportimet për vendimet e Gjykatës Supreme që u njohin të drejtën për dy pensione veteranëve të luftës dhe kategorive të dala nga lufta, duke theksuar se kjo praktikë gjyqësore nuk është e re.

Sipas tij, Gjykata Supreme e ka vendosur këtë praktikë që nga viti 2021, ndërsa IKD ka fituar qindra raste në favor të pensionistëve dhe veteranëve gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025.

“Media të dashtuna nuk është fakt i ri lajmi se Gjykata Supreme ua njeh të drejtën për dy pensione veteranëve të luftës dhe të kategorive të dala nga lufta (p.sh. invalidë, viktima civile, etj.). Vetëm në vitet 2023, 2024 dhe 2025, IKD i ka fituar qindra raste të tilla. Krejt këto raste janë përfaqësuar falas nga juristët e IKD për pensionistët, kategoritë e lartpërmendura dhe veteranët e luftës. Gjykata Supreme këtë praktikë e ka vendos në vitin 2021, pesë vite më herët”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka shtuar se rasti për të cilin po raportohet së fundmi është vetëm një nga mijëra vendimet e ngjashme të gjykatave.

“Me fjalë tjera, në vitin 2026, rasti që po i referoheni mbase është i 2 mijë e 900 a 3 mijë e 800 apo më shumë apo më pak që gjykatat e rregullta e kanë vendosur”, është shprehur ai.

Miftaraj ka akuzuar Ministrinë përgjegjëse dhe Qeverinë se, pavarësisht mijëra aktgjykimeve në favor të përfituesve, nuk po i zbatojnë ato në tërësi.

“Lajm është se edhe pse janë me mijëra raste të fituara, departamentet e pensioneve, Ministria dhe Qeveria prapë se prapë po ua mohojnë njohjen e dy pensioneve qindra e mijëra përfituesve nga kjo e drejtë. Me fjalë tjera, departamentet e pensioneve po ua njohin të drejtën veç sa i përket retroaktivitetit duke ua alokuar mjetet sipas aktgjykimeve të gjykatës, por s’po vazhdojnë me zbatimin e plotë të aktgjykimit duke ua njohur në praktikë dy pensionet”, ka deklaruar ai.

Drejtori i IKD-së ka paralajmëruar se instituti do të dalë së shpejti me informacione më të detajuara lidhur me këtë çështje, si dhe me masat që do të ndërmerren për të kërkuar zbatimin e plotë të aktgjykimeve.

Të ngajshme

Bëri ndërhyrje plastike?/ Cardi B befason me ndryshimet në pamje

Yllka Gashi

Juventusi shpreh interesim për yllin e Anglisë

Yllka Gashi

Lider në mbrojtje, Fatmir Rexhaj vazhdon kontratën me Feronikelin ’74

Yllka Gashi