Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është pyetur lidhur me shtrenjtimin enorm të kilogramit të specave në Kosovë.
Peci në një intervistë në ATV ka thënë se kjo ndodh si shkak i importit të produktit bujqësor, e që sipas tij ka kosto.
“Është raporti i kërkesës dhe ofertës. Kërkesa në Kosovë është e madhe gjatë periudhës së dimrit për speca. Unë tre muajt e fundit intenzivisht po angazhohem edhe sot gjithë ditën jam marrë me qit temë. Ne kemi rrit shumë prodhimin dhe eksportin. Ta zëmë, vetëm për domate, kur kam ardhë ministër Kosova i ka eksportu 135 tonë, më 2024-ën 2,100 tonë të eksportuara“, ka thënë ndër të tjera ai.
“Ne kemi një zbrastësi gjatë periudhës së prodhimit dhe kostot e importit po i rrisin çmimet. Çka na duhet neve si vend? Më 2025-ën duhet të jetë për bindjen time, ka me qenë pika kryesore: Orientimi në krijimin e serave me hidroponi, sistem të ngrohjes. Kostot janë shumë të larta, por sidoqoftë duhet me hi në prodhim të serave… Është një periudhë prej dy vjet që duhet mu zgjidhë“, ka shtuar ministri Peci.
Ndërkaq, kur është pyetur nëse ka ndonjë kurdisje të çmimit në treg nga tregtarët, ai është shprehur i habitur dhe ka thënë se do ta bëjë hulumtimin e tregut.
Peci më pas është pyetur nëse kjo ka të bëjë edhe se vëllai i tij është menaxher në një nga supermarketet, për çka ai ka filluar të qesh në emision.