Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka udhëhequr një takim ndërinstitucional me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe avancimit të mekanizmave për mbrojtjen e viktimave.
Në takim morën pjesë prokurorët e shtetit, përfshirë koordinatorin e ri për rastet e dhunës në familje në Prokurorinë Themelore në Pejë, prokurorin e shtetit Ermal Demhasaj, prokurorët për të mitur, mbrojtësit e viktimave, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, qendrave për punë sociale dhe Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë.
Gjatë hapjes së takimit, u.d. e kryeprokurores, Valbona Disha-Haxhosaj, theksoi se trajtimi i rasteve të dhunës në familje kërkon angazhim të përbashkët, reagim të shpejtë dhe përgjegjësi të qartë institucionale, duke nënvizuar se mbrojtja e viktimave duhet të jetë prioritet në çdo fazë të trajtimit të rastit.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse, ajo theksoi rëndësinë e adresimit të hapur të mangësive institucionale dhe të marrjes së përgjegjësisë për përmirësimin e reagimit institucional.
“Nuk duhet të kemi frikë të flasim për atë që nuk funksionon. Duhet të kemi përgjegjësi që ta ndryshojmë atë që nuk funksionon. Viktimat nuk kanë nevojë për premtime. Kanë nevojë për mbrojtje. Nuk kanë nevojë për arsyetime. Kanë nevojë për veprime. Dhe nuk kanë nevojë që institucionet të reagojnë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Kanë nevojë që ne të veprojmë para se të jetë tepër vonë. Ky është standardi që kërkoj nga vetja, nga Prokuroria që udhëheq dhe nga secili prej jush”, është shprehur Disha-Haxhosaj.
Ajo kërkoi që gjatë trajtimit të secilit rast të dhunës në familje, institucionet të kenë në fokus të veçantë identifikimin e hershëm të rasteve me rrezik të lartë, veçanërisht atyre ku ekziston mundësia e përsëritjes apo përshkallëzimit të dhunës dhe rrezikimit të jetës së viktimave.
Po ashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të shpejtë dhe të ligjshëm të informacioneve ndërmjet institucioneve, koordinimit të veprimeve konkrete dhe sigurimit të mbrojtjes së vazhdueshme për viktimat, jo vetëm në momentin e raportimit të dhunës, por përgjatë gjithë procedurave hetimore dhe gjyqësore, si dhe pas ndërmarrjes së masave mbrojtëse.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përcaktimit të përgjegjësive konkrete të secilit institucion, caktimit të personave kontaktues për komunikim dhe koordinim të drejtpërdrejtë, si dhe krijimit të një mekanizmi për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve dhe veprimeve të dakorduara. Po ashtu, u dakordua që secili mekanizëm institucional të përgatisë raporte lidhur me sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve që përfshijnë persona me probleme të shëndetit mendor dhe viktima të mitura, me qëllim të identifikimit të mangësive dhe përmirësimit të reagimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë drejtim, koordinatori i ri për rastet e dhunës në familje, prokurori i shtetit Ermal Demhasaj, do të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit me institucionet përkatëse, koordinimin e veprimeve dhe avancimin e praktikave të përbashkëta në trajtimin e këtyre rasteve.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve shkëmbyen qëndrimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me sfidat që hasin në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke diskutuar mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta e të koordinuara.
Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e përgjegjësive të saj ligjore, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje, me qëllim të mbrojtjes efektive të viktimave dhe parandalimit të përsëritjes së dhunës.

