Ish-komandanti i UÇK-së dhe anëtari i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një marrëveshje të gjerë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe partive të tjera.
Mustafa ka thënë se Kosovës, në këtë moment, i duhet unitet, qartësi dhe një drejtim i përbashkët shtetëror.
Ai ka bërë thirrje për hapjen e dialogut mes forcave politike. Sipas tij, një marrëveshje e tillë duhet të bazohet në interesat themelore të Republikës.
Mustafa ka renditur edhe tri shtylla që, sipas tij, duhet ta udhëheqin këtë angazhim.
E para është uniteti politik dhe qetësimi i brendshëm. Ai ka kërkuar bashkërendim të forcave politike dhe shoqërisë civile rreth interesit shtetëror.
Shtylla e dytë është mbështetja juridike. Mustafa ka përmendur forcimin e ekipeve mbrojtëse dhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme juridike për proceset e mëtejshme.
E treta është angazhimi diplomatik. Ai ka kërkuar veprim të koordinuar ndërkombëtar për të paraqitur historinë e Kosovës dhe UÇK-së dhe për të avancuar interesat e Republikës.
Mustafa ka theksuar edhe rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe Perëndimin.
Në fund, ai ka bërë thirrje për një tryezë të përbashkët mes VV-së, PDK-së dhe partive të tjera.
Ai e ka cilësuar këtë si një mundësi për një marrëveshje politike me objektiva dhe drejtim të qartë për Kosovën.

