Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kritikuar ashpër një pjesë të mediave, shoqërinë civile dhe opozitën, për siç tha ai, “gozhdim të pandershëm” të Qeverisë së Kosovës për rend dhe ligj në krejt territorin.
Mustafa ka thënë se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet dhënë mbështetje në përpjekjet e tij për të vënë rend dhe drejtësi në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përpjekje e cila, sipas tij, nuk po përkrahet edhe nga pjesa tjetër e opinionit publik.
“Përpjekja e qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë sukses në ruajtjen rendit dhe ligjit, analistët dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm”, ka shkruar Mustafa.
“Një gjë jam i sigurtë, se pavërsisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji”, shtoi ndër të tjera ai.
Ndryshe, ajo që veçse ishte paralajmëruar prej kohësh tashmë është bërë realitet – Kosova është futur për herë të parë në mesin e shteteve të pakta që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa ashpërsia e të cilave parashihet të rritet varësisht rrethanave.
Një varg sanksionesh tepër serioze janë vënë tashmë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

