Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë, duke bërë thirrje kjo festë të jetë për më shumë mirësi, për bashkim rreth vlerave të besimit, dinjitetit, drejtësisë dhe solidaritetit.
Myftiu Tërnava në mesazhin e urimit tha se populli i Kosovës i ka ngritur themelet e ekzistencës mbi vlerat e sakrificës.
“Në këtë natë të madhe të Kurban Bajramit, kur zemrat dridhen nga madhështia e sakrificës dhe kur shpirti kërkon edhe më shumë afërsinë me Zotin, ju drejtohem me përulësi të thellë dhe dashuri të sinqertë në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i republikës, për t’iu përcjellë për këtë festë kaq madhështore, festën e Kurban Bajramit, urimet më të përzemërta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që kjo ditë e bekuar t’iu gjejë me zemra të qeta, me shëndet dhe mirëqenie, me familje të bashkuara dhe me besim të thelluar në vlerat më të larta shpirtërore”, deklaroi Tërnava.
Myftiu i Kosovës tha se Kurban Bajrami bartë mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare, si dhe kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun.
Ai tha se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë, të cilat siç tha Tërnava janë bazë për shtet të qëndrueshëm.
“Kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë ndërmjet nesh, e që është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe një shtet të qëndrueshëm. Në këtë natë të kësaj feste të bekuar, nuk mund të mos ndalemi dhe të reflektojmë mbi sakrificat e popullit tonë, të cilat i përngjajnë sakrificës së Ibrahimit a.s.. Ne kemi njohur dhimbjen, kemi kaluar sprova të rënda, kemi dhënë më të dashurit tanë për një të ardhme më të mirë dhe për një jetë me dinjitet dhe liri.
Përmes flijimit, durimit dhe besimit të palëkundur, populli ynë ka ngritur themelet e ekzistencës së vet mbi vlerat e sakrificës dhe të së drejtës… Në prag të çdo feste të risjellim në kujtesën tonë, të kaluarën tonë, të qëndrojmë me zemra të mbushura me mirënjohje dhe me krenari para sakrificës sonë, të kujtojmë ditët tona të flijimit dhe të sakrificës, kohërat tona të vuajtjes, vendet tona të flijimit, netët tona të lutjeve në errësirë, gjithherë me shpresën në Zotin Një për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, u shpreh ai.
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava tha se Kurban Bajrami është përkujtim i përjetshëm për të gjithë ata që ranë për liri.
“Kjo natë është edhe përkujtim i përjetshëm i dëshmorëve tanë, i nënave që ende nuk gjetën eshtrat e bijve dhe bijave të tyre, i fëmijëve që u rritën pa përqafimin e prindit, por me krenarinë se ata ishin pjesë e një sakrifice të shenjtë për liri. Sot, kur ne therim kurbanin, e dimë se çdo pikë gjaku që rrjedh nga kurbani është betim për të qenë më të drejtë, më të mëshirshëm dhe më të përkushtuar ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit”, tha myftiu Tërnava.
Myfitu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava tha se sot në Meke në rrafshnaltën e Arafatit janë edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët po e përjetojnë udhëtimin e jetës me lutjet drejtuar Zotit.
“Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit, e në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhin – udhëtimin e jetës me lutjet e tyre drejtuar Krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë”, tha ai.
Namazi i Kurban Bajramit falet të premten, më 6 qershor 2025 nga ora 05:35.