Telenews

NË KONFERENCËN E AGK-SË, KËRKOHET TË MOS NXITET URREJTJE NDAJ GAZETARËVE

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar që puna e gazetarit të respektohet me shumë nga pushteti. Përmes një deklaratë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha u shpreh se puna e gazetarit nuk respektohet aq sa duhet. Ai ka ftuar pushtetin aktual që të ndal bojkotimin e mediave dhe të mos nxisë urrejtje ndaj gazetarëve.
Ai u shpreh se sulmet ndaj gazetarëve shoqëruar me mostransparencën e institucioneve e kanë bërë më të vështirë punën e gazetarit.
Rexha: Njerëzit në pushtet duhet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit
“Ndodhë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe nuk presin një gjë të tillë. Por, ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë. Sulmet e vazhdueshme dhe të orkestruara nga pushteti aktual, shpeshherë të bëra me gjuhë ‘politikisht në rregull’, janë duke e degraduar profesionin e gazetarit si asnjëherë më parë. Ndërsa ka thënë që kjo sjellje, në kombinim me mbylljen e institucioneve dhe mostransparencën që ka mbizotëruar gjatë tërë vitit të kaluar, e bën punën e gazetarit shumë të vështirë”, tha Rexha.
Rexha shtoi se politikanët që tentojnë të fshehin skandalet e tyre duke sulmuar gazetarët është e rrezikshme.
“Tentativa e politikanëve që skandalet të fshihen duke sulmuar gazetarët me narrativen e mirë orkestruar që “ata shpifin, mos iu besoni”, është e rrezikshme dhe i bën gazetarët të duken kinse janë armiku i vendit. Kur kjo narrativë bëhet e përditshme, atëherë ajo përbën kërcënim direkt për sigurinë e gazetarëve”, vijoi Rexha.
Kreu i AGK-së pati edhe disa kërkesa ndaj politikanëve duke kërkuar që të mos bojkotojnë mediat dhe të mos nxisin urrejtje ndaj gazetarëve.
Rexha: Të mos nxitet urrejtja ndaj gazetarëve
“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ne kërkojmë që politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve. Mediat nuk janë armiku”, përfundoi Rexha.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypi shënohet prej vitit 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.

Të ngajshme

Gërvalla – Kongresistit amerikan: Ende asnjë pasojë ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë

Donat Hashani

Gjykata cakton kaq vite burg ndaj dy të miturve për vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu

Donat Hashani

Deputeti i VV-së “zbulon” pazaret e Kurtit me opozitën: Zgjedhjet e parakohshme në këmbim të Kodit Civ

Donat Hashani