Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se bllokimi i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e komisionit hetimor parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës. Mirëpo tha se pushteti i tanishëm mund ta vonojë këtë proces, por nuk do ta ndalojë.
Në një konferencë për medie të martën, Krasniqi adresoi një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti duke e quajtur edhe të paaftë.
“Këta kanë ditur të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t’i lejojmë të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t’i lejojmë të rrënojnë edhe parimet e demokracisë së shtetit tonë. Hetimi parlamentar është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që ju takon deputetëve. Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojë, por nuk do të mund ta ndalojë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t’i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin”, tha Krasniqi.
Ai adresoi disa pyetje ndaj ekzekutivit për menaxhimin e krizës energjetike dhe hezitimin për të formuar komisionin hetimor.
“Pyetja e parë që në këtë rast përsëri imponohet dhe duhet të shtrohet është: çka janë duke fshehur nga opinioni publik që me kaq bindje po shkelin ligjin dhe Kushtetutën vetëm për të pamundësuar nxjerrjen e së vërtetës në dritë? Çfarë shkeljesh e krimesh potenciale janë duke mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar? Pse kryeministri Kurti po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove të taksave të qytetarëve për KEDS-in, hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të rrymës nga ZRRE, punësimet familjare dhe partiake në KEK, blerjen e rrymës me çmime më të larta se të tregut gjatë dimrit, shitjen e rrymës me çmime më të ulëta se të tregut e shumë shkelje e parregullsi tjera? Nëse s’kanë çfarë të fshehin, qoftë personalisht dhe si grup, pjesë e veprave penale potenciale dhe aferave e keqpërdorimeve në KEK dhe në veprimet e tjera rreth krizës energjetike, atëherë pse po e bllokojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar?”, pyeti Krasniqi.
Kreu i PDK-së tha se do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit, mirëpo nuk do të votojnë asnjë pikë të rendit të ditës, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare pa u formuar komisioni hetimor.
“Ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të ditës, për asnjë ligj, asnjë çështje që vjen në seanca plenare të Kuvendit pa u themeluar ky komision… disa prej atyre marrëveshjeve janë negociuar shumë më herët, ne po flasim sot për keqpërdorime potenciale të më shumë se 100 milionë eurove që i ka bërë kjo qeveri, ata sot po derdhin lot krokodili kinse për ato marrëveshje. Marrëveshjet mund të votohen në momentin kur këta vendosin ta votojnë atë që është në ligj dhe kushtetutë, komision hetimor parlamentar dhe pastaj vazhdon puna… Një gjë duhet ta dinë, me mendësi të diktatit nuk do t’iu funksionojë, nuk munden ata të diktojnë përkundër që i kanë numrat, të diktojnë jetën parlamentare dhe demokracinë në këtë vend”, deklaroi ai.
Ndërkohë, theksoi se përmes këtij hetimi do të vërtetojnë edhe paaftësinë e Qeverisë Kurti për të menaxhuar me krizën energjetike.
“Ne duam të dimë edhe në kuptimin formal edhe legal të fjalës të vërtetojmë se a është kaq e paaftë kjo qeveri, kaq e padenjë me përfaqësu qytetarët e Kosovës. Kur shumë të tjerë kem fol për krizën këta nuk e kanë pasur mendjen vetëm tek energjia. Kjo është përgjegjësi, mos veprimi është përgjegjësi, kur je në qeveri dhe institucione edhe nëse nuk vepron ti je përgjegjës sepse dëmi vjen nga mosveprimi”, tha ai.
Krasniqi përsëriti kërkesën ndaj ZRrE-së që të zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për masën e përkohshme të tarifave të reja të energjisë.