Telenews

Trepçën e pret top-ndeshje në Gjermani, Bashkimi luan në Turqi

Trepça ka fituar tri ndeshjet e fundit në FIBA Europe Cup, ndërsa të mërkurën mbrëma e luan ndeshjen më të vështirë deri më tani. Në kuadër të Grupit A, kampionia e Kosovës në basketboll luan në Trier të Gjermanisë ndaj Gladiators Trier. Ndeshja fillon në ora 20:00.

Trieri është favorit i madh i grupit A. Ka fituar katër ndeshjet e deritashme dhe udhëheq me tetë pikë. Trepça është e dyta me shtatë pikë, përkatësisht me tri fitore e një humbje. Në xhiron e parë humbi në shtëpi nga Patrasi grek. Më pas fitoi në udhëtim ndaj Splitit kroat, në shtëpi ndaj Opavas çeke dhe në udhëtim ndaj Batumit gjeorgjian.

Nëse eventualisht fiton në Gjermani, Trepça do të jetë shumë pranë avancimit në fazën e dytë të FIBA Europe Cup. Dy të parët në grup avancojnë.

Gladiators Trier vlerësohet skuadër cilësore, ndërsa mitrovicasit llogarisin në përkrahje nga qindra shikues në Gjermani.

“Trepça nuk udhëton kurrë vetëm. Edhe kësaj radhe do ta kemi mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë, të cilët na qëndrojnë pranë kudo që luajmë”, ka shkruar Trepça të martën.

“Xehetarët” janë në seri të fitoreve edhe në Superligë.

Të mërkurën, ndeshje evropiane, përkatësisht në FIBA Europe Cup, luan edhe Bashkimi i Prizrenit. Në kuadër të Grupit F, Bashkimi nga ora 17:30 përballet me skuadrën turke Korfez. Ndeshja zhvillohet në Kocaeli të Turqisë.

Korfezi është lider i grupit me tri fitore e një humbje. Bashkimi, që po përballet me mungesa të rëndësishme për shkak të lëndimeve, ka një fitore e dy humbje në pozitën e parafundit. Ka një ndeshje më pak se skuadrat e tjera në grup, për shkak të telasheve me pajisje me viza të Britanisë së Madhe. Ndeshja e shtyrë me Manchesterin do të zhvillohet më 2 dhjetor. Por fillimisht prizrenasit shpresojnë të ndahen mirë në udhëtimin e vështirë në Turqi.

Bashkimi e fitoi ndeshjen e parë ndaj Valmieras së Letonisë, ndërsa më pas humbi nga Kalevi i Estonisë dhe Elan Chaloni i Francës.

Të ngajshme

UNICEF alarmon: 10% e nxënësve në Kosovë raportojnë se kanë tentuar vetëvrasjen

Rrezarta Ramaj

AKB: Projektbuxheti prej 4.27 milardë eurosh nuk është dëshmi e zhvillimit ekonomik

Rrezarta Ramaj

Shpërthim në një shkollë në Gjermani, plagosen 10 nxënës, pesë prej tyre dërgohen në spital

Rrezarta Ramaj