Vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë përfundoi, deputetët nga të gjitha partitë shprehin solidaritet me familjen.
Është përmbyllur vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, i cili do të kthehet në Hagë, ku po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Krasniqi kishte marrë leje të posaçme për të qëndruar pranë familjes, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi. Largimi i tij nga shtëpia në Prishtinë u përcoll me emocione, lot dhe përqafime me familjarët.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u shoqërua me masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Vizita nxiti reagime solidarizuese nga deputetë e përfaqësues politikë të subjekteve të ndryshme shqiptare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mbështetjen për Krasniqin dhe familjen e tij, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimi për drejtësi dhe lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së.
“Me shumë dhimbje dhe bashkëndjejë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë…Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.


