Telenews

Ngritet aktakuzë ndaj të pandehurit për transportimin e mbi 6 kilogramëve marihuanë

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet për transportimin e mbi 6 kilogramëve marihuanë në autostradën “Arbër Xhaferi”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri me inicialet E.A. ndodhet në paraburgim që nga 30 janari 2026, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 30 janar, rreth orës 20:30, në afërsi të daljes së autostradës “Arbër Xhaferi”, në fshatin Doganaj.

Prokuroria dyshon se i pandehuri, duke vepruar sipas udhëzimeve të dy personave të tjerë, kishte transportuar substanca narkotike me veturën e tij të tipit “VW Passat”.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, në bagazhin e veturës së tij, persona të tjerë kishin vendosur një çantë dhe një qese najloni, ndërsa ai ishte përcjellë deri në drejtim të Hanit të Elezit.

Vetura ishte ndaluar nga Policia në dalje të autostradës, në fshatin Doganaj. Gjatë kontrollit, në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar 20 paketime me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 6 kilogramësh e 121.08 gramësh.

Për këtë rast, i pandehuri akuzohet për veprën penale nga neni 267, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Të ngajshme

Detaje të reja rreth vrasjes në Gjilan/ Burri dyshohet se vrau gruan, mikun dhe plagosi tre të tjerë

Rrezarta Ramaj

9 lidhje të paautorizuara të ujit evidentohen në Prizren, Suharekë dhe Malishevë

Rrezarta Ramaj

Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, këto janë pikat që do të shqyrtohen

Rrezarta Ramaj