Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit F.K për kanosje të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri F.K., më 24 janar 2023, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me një kontest pronësor me komunën e Prizrenit, i pandehuri F.K., ditën kritike përmes një personi të tretë, i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit me fjalët se ‘thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babës vet le të ndalet sepse nëse ai nuk ndalet edhe ma rrezon shtëpinë unë djalin e tij ose e rrahi ose e mys krejt’, me çka me këtë veprim tek i dëmtuari Sh.T., dhe familja e tij ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë…. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

