Nuk ia falin eliminimin nga Dinamo City, ultrasit e Hajdukut sulmojnë me fishekzjarrë lojtarët e tyre
Fitorja 3-0 e Hajdukut ndaj Slaven Belupos në “Poljud” u shoqërua jo vetëm me entuziazëm për tri pikët, por edhe me polemika të forta për sjelljen e një pjese të ‘Torcidës’.
Në vend që të festonin suksesin, disa tifozë ultras shpërthyen me topa zhurmues, thirrje fyese dhe madje edhe hedhje fishekzjarrësh në drejtim të lojtarëve të tyre.
Momente të rrezikshme, që fatmirësisht nuk sollën pasoja, por që u cilësuan si turp i papranueshëm për klubin.
Kjo sjellje lidhet ngushtë me zhgënjimin e madh të ‘Torcidës’ pas eliminimit të dhimbshëm nga Dinamo City i Tiranës në Conference League.
Dalja e parakohshme nga Europa kundër një rivali të panjohur në skenën ndërkombëtare u pa si një turp i madh për klubin, duke ndezur nervozizëm te një pjesë e tifozëve.
Ky mllef u shpërfaq më së shumti në ndeshjen e kampionatit, ku në vend që të mbështesnin skuadrën, një pjesë e tyre u kthyen kundër të gjithëve.
“Idiotëve nuk u takon vendi në stadium”, shkruajnë mediet kroate, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga klubi.
Kujtohet se vitin e kaluar sjellje të ngjashme të ‘Torcidës’ i kushtuan Hajdukut mbi gjysmë milioni euro gjoba.
Megjithatë, shumica e tifozëve në “Poljud” e shoqëruan skuadrën me duartrokitje e me këngën tradicionale “Ja te volim, Hajduče”, duke treguar se forca e vërtetë e publikut bardhekuq nuk qëndron te grupet problematike, por te dashuria e sinqertë për klubin.
Në planin sportiv, Hajduk tregoi forcë me golat e Bamba-s (dy herë) dhe Pukštas-it, duke marrë tri fitore në tri ndeshje në kampionat.
Sfida e radhës, ndaj Osijekut në transfertë, do të jetë testi i parë serioz i sezonit për Gonzalo Garcian dhe lojtarët e tij.