Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë të shkurtër në Fox News, televizionin që përkrah presidentin amerikan Donald Trump, ka thënë se republikani parandaloi një përkeqësim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë plot lavde për udhëheqësit amerikanë e sidomos për Trumpin, Osmani është përgjigjur në pyetjen e moderatorit nëse presidenti amerikan parandaloi një konflikt me Serbinë.
Osmani nuk e konfirmoi se ishte konflikt, por e përshkroi si një përkeqësim të situatës. Teksa ka folur për historinë e Serbisë me Sllobodan Millosheviqin, Osmani ka thënë se edhe tani ka njerëz në Serbi që mendojnë për të kaluarën.
“Ka ende njerëz në udhëheqjen e Serbisë që dëshirojnë të na kthejnë në të kaluarën teksa ne dëshirojmë të shikojmë kah e ardhmja. Presidenti Trump na ka ndihmuar në përkrahje të paqes dhe shpëtimin e jetëve”, ka thënë Osmani teksa është pyetur nëse ka pasur përkeqësim në muajin qershor.
“Në të kaluarën kemi pasur përkeqësime në vitet e fundit, për shembull në shtatorin e vitit 2023 ishte një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës, ia arritëm ta ndalojmë atë me përkrahjen e aleatëve të NATO-s, por ka kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia. Në majin e kaluar kishte një tentim për përkeqësim, nëse mund ta quaj kështu, dhe kjo administratë ka bërë punë të mrekullueshme për parandalimin e këtij eskalimi”, ka thënë Osmani në Fox News.
Intervista e shkurtër e Osmanit për Fox News:
Gazetari: Për një kohë, Ballkani ishte storja numër një e konfliktit në Evropë, dhe në qershor ishte gati të shpërthente përsëri – me Serbinë, apo jo?
Osmani: Siç e dini, kemi një fqinj që herë pas here shkakton probleme. Në të kaluarën, Serbia ndezi një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor, sepse udhëhiqej nga “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq. Fatkeqësisht, ende ka njerëz në udhëheqjen e Serbisë që kapen pas së kaluarës dhe duan të na tërheqin prapa, ndërsa ne duam të shohim nga e ardhmja. Presidenti Trump ka qenë vendimtar në mbështetjen e paqes, ruajtjen e stabilitetit dhe shpëtimin e jetëve, gjë që ka qenë themelore për ne.
Gazetari: Mendoni se ai e bëri këtë në qershor, duke ndërhyrë?
Osmani: Po. Kemi pasur disa tensione vitet e fundit. Për shembull, në shtator 2023 pati një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s, arritëm ta zmbrapsim. Megjithatë, kërcënimi nga Serbia është i vazhdueshëm. Në majin e kaluar, pati sërish një përpjekje tensionimi, nëse mund ta quaj kështu, dhe kjo administratë ka bërë një punë të shkëlqyer për të parandaluar përshkallëzimin.
Presidenti ka qenë gjithmonë një udhëheqës që flet me qartësi, forcë dhe bindje. Ndërsa sot ai del në skenën e OKB-së, presim një mesazh të fortë të “paqes përmes forcës”. Ky mesazh ka funksionuar në pjesën tonë të Evropës, sepse është i vetmi mesazh që autokratët dhe udhëheqësit e çmendur nëpër botë – që duan të vrasin e të shkaktojnë vuajtje – e kuptojnë.