Presidentja Vjosa Osmani kur ka folur për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi duke thënë se Kosova dhe Mali i Zi e kanë një miqësi e cila duhet të ruhet dhe forcohet edhe më tej.
“Dua ta potencoj sërish që Mali i Zi si ndër shtetet e para që e ka njohur Pavarësinë e Republikës Kosovës, që nga vit 2008 e deri më sot, ka qenë ndër fqinjët më përkrahës në procesin tonë të shtetndërtimit. Kjo miqësi që është ndërtuar vazhdimisht, jo vetëm ndërmjet institucioneve por edhe ndërmjet qytetarëve tanë, do të ruhet dhe forcohet edhe më tej me çdo kusht”.
Ajo, në konferencën e përbashkët me homologun malazez Milo Gjukanoviq, përmendi edhe trupën teknike për çështjen e kufirit – që ishte paraparë në deklaratën mes dy presidentëve të atëhershëm – duke thënë se një gjë e tillë mund të bëhet me diskutime miqësore.
“Sa i përket çështjes së Demarkacionit, Republika e Kosovës i ka ratifikuar tri dokumente në Parlamentin e saj – e para është marrëveshja dypalëshe sa i përket vendosjes së kufirit, e dyta është deklarata e përbashkët ndërmjet dy presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi dhe e treta ka qenë raporti i Komisionit Shtetëror për çështjen e kufirit. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë dhe në përputhje me parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore”.
“Edhe çështja e trupit të përbashkët teknik i cili është paraparë në deklaratën e atëhershme ndërmjet dy presidentëve është një çështje e tillë teknike e cila do të realizohet gjithnjë nëpërmjet diskutimeve miqësore dhe përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona, gjithnjë duke vlerësuar se raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë vetëm duke pasë parasysh miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve”.
E para e Kosovës tha se Kosova dhe Mali i Zi s’duhet të lejojnë prishjen e raporteve, duke shtuar se ka akterë që duan një gjë të tillë ashtu siç duan edhe destabilizim të rajonit, njofton Klankosova.tv.
“Ka mjaftueshëm akterë të tjerë të cilët kërkojnë ta destabilizojnë rajonin tonë apo të prishin marrëdhëniet tona, por Kosova dhe Mali i Zi nuk do të duhej asnjëherë që të lejojnë që raportet të dëmtohen sepse kjo vetëm do t’i shkonte në interes atyre që kanë interesa malinje për Ballkanin Perëndimor. Nuk shoh asnjë çështje që mund të prishë raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi, përkundrazi shoh shumë hapësirë për të hapur kapituj të ri të bashkëpunimit dhe për t’i dërguar raportet tona tashmë të shkëlqyeshme edhe drejt rrugëve më të mira për qytetarët tanë”.

