Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar mundësinë e thirrjes së seancës së Kuvendit për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë, në të cilën Glauk Konjufca është mandatari i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një prononcim për media, Osmani tha se seanca mund të thirret edhe si e jashtëzakonshme, nëse sigurohen 40 nënshkrimet e deputetëve.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vet. Këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani. Sa i përket ftesës për seancë, ai ka qenë optimizmi im, duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Unë kam pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur. Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje, transmeton Klankosova.tv.
E para e shtetit u shpreh se ka pasur një vonesë 9-mujore, por të cilën ajo si presidente nuk e ka shkaktuar.
“Kushtetuta është e qartë, nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Dhe mos të harrojmë që ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente.
“Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim për këto dy javë. Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa, ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për 9 muaj i kemi pritur. Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi Osmani.

