Telenews

Pahor: Jashtëzakonisht shqetësuese nëse Serbia qëndron pas sulmit në Banjskë

Ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili kishte shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçakut, ka thënë se do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese nëse autoritetet e Serbisë qëndrojnë prapa sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë.

“Menjëherë pas asaj ngjarje në një konferencë në Mal të Zi, deklarova për herë të parë diçka që më duket e rëndësishme edhe sot: nëse autoritetet zyrtare të Serbisë qëndrojnë pas këtyre ngjarjeve, ishin të informuara për to, i mbështetën, çfarëdo qoftë … kjo është jashtëzakonisht shqetësuese dhe ndryshon gjithashtu perspektivën time për atë se si dhe sa mund të arrihet një marrëveshje me autoritetet aktuale, që do të sigurojë paqe, siguri, mirëqenie dhe do të rregullojë disa marrëdhënie”, ka theksuar Pahor në intervistë për televizionin N1 në Slloveni.

Ai ka thënë se ende askush nuk ka një raport përfundimtar për këtë rast, por sipas tij ai ishte një veprim shqetësues, që në fakt bëri të qartë se edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të kthehet një luftë e vërtetë, jo vetëm incidente.

Por, a ishte ky një agresion ndaj Kosovës ky sipas Pahor? “Dyshime kishte, pasi veprimet ishin shumë të ngjashme me hapat e parë të veprimeve të ushtarëve rusë në Krime. Megjithatë, nuk mund të bëjmë paralele këtu, sepse nuk e dimë saktësisht për çfarë bëhet fjalë. Prandaj, mendoj se do të ishte në interesin e autoriteteve serbe të jenë jashtëzakonisht transparente në lidhje me veprimet e atyre që ishin përgjegjës për incidentet e fundit, por kjo ende nuk ka ndodhur”, ka shtuar Pahor.

Ai ka folur edhe për atë nëse Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës kriminelin Milan Radoiçiq, gjë të cilën e ka vendosur si kusht kryeministri Kurti për t’u takuar me presidentin serb.

“Këtu presim veprim në përputhje me ligjet, si ato serbe ashtu edhe ato ndërkombëtare, që do të përputheshin me sanksionet për një veprim të tillë, që nuk duhet të ketë vend as në Serbi, as në Kosovë, as kudo në komunitetin ndërkombëtar”, ka nënvizuar Pahor.

Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.

Megjithatë, ish-presidenti slloven, i cili kishte shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajçakut, ka thënë se pikërisht nga diplomati sllovak kishte marrë ftesë për të diskutuar rreth kësaj çështje.

“Në mars, unë u ftova në Bruksel për t’u takuar me të dërguarin special, Miroslav Lajçak, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. Ata ma dhanë këtë mbështetje, për të cilën u jam mirënjohës”, ka theksuar ai.

Të ngajshme

Tayna nesër publikon këngën e re, duet me reperin grek!

Erzana Fazliu

James Rodriguez po rikthehet në Evropë, i propozohet skuadrës italiane

Erzana Fazliu

Të hënën mbahet seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Erzana Fazliu