Telenews

Pak çerdhe, pak punë për gra

Njëqind e gjashtëdhjetë çerdhe për fëmijë premtoi Qeveria e tanishme e Kosovës në vitin 2021, kur mori detyrën.

Qëllim i deklaruar i këtij investimi ishte lehtësimi i qasjes së grave në tregun e punës.

Tre vjet e gjysmë më vonë, përparimi në këtë drejtim mbetet i kufizuar dhe, për pasojë, shumë gra janë pa punë.

Sipas Agjencisë së Statistikave në vend, të punësuara janë më pak se 20 për qind e grave.

Në muajin tetor, Banka Botërore publikoi një raport për Ballkanin Perëndimor, ku, mes tjerash, tha se mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit, përbën sfidë për Kosovën.

Atë do të mund ta kompensonte rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, por “e pengon mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijë”, thuhej në atë raport.

Shembull i kësaj situate është Teuta H. nga Prishtina.

Me shkollën e mesme ekonomike të mbaruar, ajo ka 13 vjet që nuk punon, sepse i është dashur të kujdeset për dy vajzat e saj.

Në çerdhe private me pagesë thotë se nuk ka pasur mundësi ekonomike t’i dërgojë. Bashkëshorti i saj punon dhe paguhet rreth 600 euro në muaj.

“Që një vit kam nisur të punoj vetëm gjatë ditëve të vikendit, kur për vajzat dhe vjehrrin mund të kujdeset bashkëshorti. Pastroj disa shtëpi dhe me paratë që marr, ndihmoj familjen”, thotë Teuta.

Vetëm pesë çerdhe të reja janë ndërtuar

Në ditën kur u votua programi i Qeverisë së tij, më 7 maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës”.

Sot, ky premtim është ende larg përmbushjes.

Në përgjigje të interesimit të Radios Evropa e Lirë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) tha se në Kosovë janë funksionale 62 objekte të institucioneve parashkollore publike, ndërsa në proces të themelimit apo përshtatjes janë dhjetëra të tjera.

“Pesë çerdhe të reja janë ndërtuar; gjashtë shkolla janë adaptuar në kopshte; 24 çerdhe janë në proces të ndërtimit;11 janë në proces të adaptimit dhe 13 të tjera në proces të tenderimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Aty nuk specifikohet se kur pritet të përfundojnë ato, e as numri konkret i çerdheve në qytete e fshatra, por theksohet se, krahas tyre, funksionale janë edhe 164 çerdhe private.

Zgjidhje ka, por jo gatishmëri

Të dhënat e regjistrimit të popullsisë më 2024, tregojnë se në Kosovë jetojnë mbi 132 mijë fëmijë nga mosha 0 deri në 5 vjeç.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023, mbi 31 mijë fëmijë të kësaj moshe kanë qenë të regjistruar në çerdhe.

Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë në një kolegj privat, thotë se numri i çerdheve është dukshëm i vogël në krahasim me numrin e fëmijëve.

Si problem më serioz, ai sheh mungesën e çerdheve publike nëpër fshatra.

Me rritjen e numrit të tyre atje, ai thotë se do të rritej edhe punësimi i grave, marrë parasysh se në ato zona ka shumë biznese prodhuese.

“Shteti duhet të marrë iniciativa për hapjen e çerdheve në zonat rurale. Në rast të mungesës së fondeve, mund të zbatohen partneritete publike-private, për të ofruar shërbime cilësore”, thotë Misini.

Këto nisma, sipas tij, do t’u krijonin edhe grave mundësi për t’u integruar në tregun e punës në zonat rurale, ku numri i të papunave është i lartë.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Në mungesë të fondeve, ajo thotë se mund të krijohet lehtësisht bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat.

“Kemi shembullin e Prishtinës, ku disa çerdhe funksionojnë përmes partneritetit publik-privat”, sipas saj.

Në raste të tilla, Berisha thotë se komuna mund të paguajë një pjesë të parave për fëmijën dhe pjesën tjetër prindi, ndërsa qendra e kujdesit mund t’i paguajë pagat e edukatorëve.

Me zgjidhjen e tillë, ajo shpreh bindjen se do të rritej si punësimi, ashtu edhe mirëqenia e grave.

“Norma tradicionale ka ndikuar që gruaja ta bartë barrën e kujdesit për familje… por për t’u punësuar, asaj i duhet të presë derisa të rriten fëmijët”, thotë Berisha.

Sipas një raporti që ka publikuar këtë vit organizata e saj, gratë janë dukshëm më pak në kërkim të vendeve të punës sesa burrat. Sipas raportit, 77% e grave nuk kërkojnë punë, ndërsa 23 për qind kërkojnë, për dallim prej 51% të burrave që nuk kërkojnë dhe 49% që kërkojnë.

Punësimi më i madh i grave, sipas Misinit, do të sillte një varg përfitimesh ekonomike – nga planifikimi më i mirë i buxhetit familjar deri te rritja e buxhetit shtetëror përmes pagesave tatimore.

“Punësimi i grave do të ndihmonte, gjithashtu, në uljen e nivelit të emigrimit, pasi do ta rriste standardin e jetesës për familje të caktuara, duke i bërë ato më të qëndrueshme ekonomikisht. Aktualisht, shumë familje përballen me vështirësi, pasi vetëm njëri nga prindërit është i punësuar, dhe kjo i shtyn pastaj drejt emigrimit”, thotë Misini.

Të dhënat e Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian tregojnë se nga janari deri në korrik të këtij viti, mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj.

Vitin e kaluar, ka pasur gjithsej 3.045 aplikime të kosovarëve për azil në BE.

Në mungesë të punëtorëve – kryesisht për shkak të emigrimit – bizneset nga Kosova kanë rekrutuar viteve të fundit punëtorë nga Turqia, Bangladeshi, Nepali, India dhe Filipinet.

Kosova është në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Mbetet të shihet nëse pushteti i ri do ta rrisë ose jo numrin e shërbimeve për kujdesin ndaj fëmijëve.

Të ngajshme

Ndahen për fundvit nga 100 euro për fëmijët deri në 16-vjeç dhe pensionistët

KushtrimGuraj

Ballkani Perëndimor: Nuk ka premtime konkrete për datën e anëtarësimit në BE

KushtrimGuraj

Motra e Olta Gixharit, Gerta bëhet pjesë e Big Brother VIP Albania

Erzana Fazliu