Me 502 vota pro dhe 120 kundër, nga 686 eurodeputetë të pranishëm në sallë, Parlamenti Evropian miratoi këtë mërkurë rezolutën për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.
Bashkimi Evropian vlerëson në nivelet më të larta progresin e bërë nga Shqipëria. Komisionerja për zgjerimin Marta Kos merr vendin tonë si shembullin më të mirë për punën e bërë në rrugën drejt integrimit.
Marta Kos tha se së shpejti do të hapen edhe dy grupkapitujt e fundit. Komisionerja kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket dhe theksoi se mbështetja ndaj SPAK është jetike për ecurinë e Shqipërisë në rrugen drejt BE, raporton Abcnews.al, transmeton Klankosova.tv.
“Negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”
Komisionerja për zgjerimin kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket duke evidentuar edhe rezultatet pozitive të strukturës së posacme.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”