Telenews

Parlamenti kroat votoi për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Parlamenti i Kroacisë ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen, me të cilat rikthehet trajnimi bazë ushtarak i detyrueshëm. Propozimi u miratua me 84 vota pro, 30 abstenime dhe 11 kundër.

Programi i trajnimit do të zgjasë dy muaj, ndërsa thirrjet e para për të rinjtë pritet të dërgohen deri në fund të këtij viti. Grupet e para të rekrutëve do të nisin trajnimin në fillim të vitit të ardhshëm në kazermat ushtarake në Knin, Slunj dhe Pozhega.

Në regjistrin ushtarak do të përfshihen të gjithë 18-vjeçarët, ndërsa në trajnim do të thirren në vitin kur mbushin 19 vjeç. Ligji parashikon shtyrje për studentët dhe sportistët, ndërsa trajnimin mund ta ndjekin edhe persona deri në moshën 30-vjeçare.

Personave që, për arsye fetare ose morale, nuk duan të marrin pjesë në shërbimin ushtarak, u njihet e drejta e kundërshtimit të ndërgjegjes. Ata do të kryejnë shërbim civil për katër muaj, në mbrojtjen civile ose në komunitetet lokale.

Pjesëmarrësit në trajnimin ushtarak do të marrin kompensim prej 1.100 eurosh në muaj, ndërsa koha e trajnimit do të llogaritet si stazh pune. Gratë nuk janë të detyruara, por mund të marrin pjesë vullnetarisht, çka konsiderohet edhe si një nga kushtet për pranim në shërbimin aktiv ushtarak.

Për mosparaqitje në thirrje parashikohen gjobat nga 250 deri në 1.320 euro, dhe në raste të shmangies, policia mund të lëshojë urdhër detyrimi.

Ligji gjithashtu parashikon përparësi në punësim në institucionet shtetërore për ata që kanë përfunduar trajnimin ushtarak ose kanë shërbyer në rezervën ushtarake.

Gjatë debatit, deputetët e HDZ-së dhe të Lëvizjes Atdhetare theksuan se rikthimi i trajnimit ushtarak është i domosdoshëm për plotësimin e rezervës së Forcave të Armatosura, ndërsa opozita nga SDP dhe lëvizja “Možemo!” kritikoi trajtimin e pabarabartë të shërbimit civil dhe mungesën e një arsyetimi të qartë për nevojën e rikthimit të trajnimit.

Parlamenti miratoi gjithashtu ndryshimet në Ligjin për shërbimin në Forcat e Armatosura, të cilat parashikojnë ndihmë për strehim për ushtarët nën 45 vjeç që nuk kanë zgjidhur çështjen e banimit në vendin e shërbimit, si dhe mundësinë e pranimit të ushtarëve me arsim bazë, me detyrimin për të përfunduar shkollën e mesme gjatë kontratës së parë të shërbimit.

Të ngajshme

Trupi gjykues i Speciales i bën thirrje mbrojtjes të shmang vonesat

KushtrimGuraj

Osmani: Nëse nuk ka qeveri të dielën, do t’i ftoj partitë për të parë nëse ndonjëra mund ta bëjë

KushtrimGuraj

Ky është mërgimtari të cilin e sulmoi Armend Zemaj

KushtrimGuraj