Telenews

Pas dorëzimit në Polici, Prokuroria kërkon paraburgim për Vezir Hazirajn –

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht dje për dorëzimin e Vezir Hazirajt në Policinë e Pejës, pas një periudhe në arrati, si dhe për marrjen e tij në pyetje nga Hetimet Rajonale në Pejë.

Tash, Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.H., nën dyshimin për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”.

Rasti lidhet me ngjarjen e 7 gushtit në fshatin Orroberd të Istogut.

Sipas Prokurorisë, rreth orës 20:40, pas një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit dhe të dëmtuarit D.H., kishte ndodhur një përleshje fizike.

I pandehuri dyshohet se më pas kishte nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, ai dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria dyshon gjithashtu se ai posedonte pa autorizim pushkën e modifikuar të gjuetisë dhe një armë të shkurtër – revole.

Ndaj tij rëndon edhe dyshimi për kanosje. Sipas Prokurorisë, më 8 gusht, rreth orës 20:53, i pandehuri dyshohet se përmes rrjeteve sociale kishte publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë, duke i kanosur me përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.

Sinjali kishte mësuar ekskluzivisht se Haziraj, pas dorëzimit në Polici, ishte marrë në pyetje më 15 gusht, nga ora 17:30, në praninë e avokatit të tij.

Megjithatë, ai nuk kishte dhënë deklaratë lidhur me dyshimet. Mbrojtësi i tij kishte deklaruar se Haziraj ndodhej në gjendje të rënduar emocionale dhe kishte kërkuar ekzaminim mjekësor, ndërsa vetë Haziraj kishte deklaruar se përdorte Tramadol dhe Diazepam.

Me këshillën e mbrojtësit, ai kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa intervistimi kishte përfunduar rreth 15 minuta pasi kishte nisur.

Prokuroria ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe kërkesën ia ka paraqitur Gjykatës kompetente për vendosje.

Të ngajshme

PDK reagon pas mbylljes së dyerve të Kuvendit: Republika po mbahet peng nga Albin Kurti –

KushtrimGuraj

Sot nuk do të ketë kufizime për kamionët mbi 20 tonë –

KushtrimGuraj

PDK i kërkon Deharit vazhdimin e seancës konstituive sot në ora 11:00 –

KushtrimGuraj