Telenews

PDK-ja e Aleanca paralajmërojnë protesta masive nëse nuk vazhdon seanca konstituive

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Aksionit të PDK-së këtë të enjte i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe drejtues e asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë, të cilët kërkuan kthimin e procesit në Kuvend dhe konstituimin e institucioneve.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se protesta dhe qëndrimi i opozitës para Qeverisë së Kosovës po vazhdon për të gjashtën ditë me radhë, duke theksuar se nuk do të ndalen deri në konstituimin e institucioneve të vendit.

Musliu tha se kërkesa e tyre është rikthimi i kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit.

“Jemi këtu sot për të gjashtën ditë me radhë dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë për të kërkuar te secili vetëkthimin e kushtetutshmërisë së Kosovës, ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetit. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë që të ketë institucione funksionale, institucione kredibile, njerëz të përgjegjshëm që i drejtojnë ato”, tha Musliu.

Ndërsa, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka thënë se do  të vazhdojnë të kërkojnë konstituimin e plotë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

“Ne krejt çka po kërkojmë, po kërkojmë të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka qartësuar periudhën kohore se kur duhet të konstituohet Kuvendi dhe më pas zgjedhja e presidentit. Askush nuk është mbi ligjin, e mbi ligjin nuk është as Albin Kurti”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj thotë se nëse Kurti vazhdon kështu, ata do të vazhdojnë me protesta masive.

“Ne nuk do të ndalemi si opozitë e organizuar deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe Qeverisë. Nuk ka më kthim mbrapa. Nëse Albin Kurti vazhdon këtë avaz, edhe ne do të vazhdojmë me protesta, të cilat do të jenë edhe më masive”, deklaroi ajo.

 

Të ngajshme

PDK-ja dhe Aleanca n Kuvend, shpëndajnë mesazhe tek ulëset e LVV-së

Yllka Gashi

25 mijë euro për 10 migrantë drejt Serbisë, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj tre personave

Yllka Gashi

Stuhi të forta godasin Gjermaninë/ Një grua humb jetën, u zu poshtë nga pema

Yllka Gashi