Kryendeshja e xhiros 23 në ArtMotion Superligën e Kosovës i ka takuar Pejës që e ka mposhtur sonte Prishtinën në ”Karagaç”.
Verdhezinjët kanë triumfuar ndaj kryeqytetasve në një ndeshje tejet interesante dhe me shifrat finale 89-78.
Rrjedha e ndeshjes në fakt ishte goxha interesante me vendasit që fituan çerekun e parë 18-14, derisa i dyti i takoi Sigal Prishtinës 20-28 dhe kjo bëri që mysafirët të shkojnë në pushim me avantazh 4 pikësh (38-42).
Në pjesën e dytë vazhdoi loja e ngushtë, por Peja u tregua më e mençur në menaxhimin e lojës, duke i fituar dy periodat vendimtare (24-17, 27-19) që i sollën fitore të merituar.
Me vetëm pesë basketbollistë që shënuan pikë, Peja sonte e fitoi takimin shumë të vlefshëm, Courtney Fells me 25 pikë, Daniel Lekndreaj me 19, Calvin Godfrey me 18, Dardan Berisha me 14 dhe transferi i ri Darius Washington që debutoi me 13 pikë.
Te Prishtina nuk mjaftuan kurrsesi për fitore, Jan Palokaj me 17 pikë, Kenny Brown me 15, Wendell Mitchell e Henry Dugat me nga 11, si dhe Lejson Zeqiri që shtoi 10 sosh.
Pas xhiros 23, Peja gjendet e 3-ta me 15 fitore dhe 7 humbe, derisa Prishtina renditet e 5-ta me 11 fitore e 12 humbje.
Në xhiron e ardhshme, Peja i shkon Rahovecit e Prishtina e pret Bashkimin.