Telenews

Pejë: Ngrihet aktakuzë ndaj dy të dyshuarve, viktimës i morën para për transplantim të veshkës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të pandehur me inicialet V.H. dhe A.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H., gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lybeniq të Pejës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, dyshohet se e ka mashtruar të dëmtuarin, duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H. dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës. Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura lidhur me transplantimin.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim të krijimit të bindjes tek i dëmtuari se procedura e transplantimit do të realizohej, duke i shkaktuar atij dëm material në shumën prej 134,761.00 euro.

Ndërkaq, i pandehuri A.K., sipas aktakuzës, dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, duke e njoftuar të dëmtuarin për të pandehurin V.H., duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi dhe duke i krijuar besim të dëmtuarit lidhur me kompetencat dhe mundësitë e tij për organizimin e transplantimit të veshkës.

Për personin tjetër të përfshirë në rast, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës, procedura penale është veçuar.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Të ngajshme

22 vjeçari që humbi jetën në aksidentin e Smrekonicës varroset sot

Yllka Gashi

Në pritje të ëmbël, Afrona Dika ekspozon barkun e rrumbullakosur

Yllka Gashi

Prizren: Arrestohen tre të dyshuar për fajde, policia publikon pamjet e aksionit

Yllka Gashi