Tri vjet, rreth 40 milionë € shpenzime. Ky është bilanci i shpenzimeve i institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës për derivate të naftës dhe telefoni mobile bazuar në raportet zyrtare të shpenzimeve të Ministrisë së Financave.
Këto shpenzime dhjetëra milionëshe kanë ndodhur gjatë mandatit të fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili sa ishte në opozitë vazhdimisht kritikonte paraardhësit e tij në krye të Qeverisë për shpenzime të larta, siç thoshte ai, për naftën e xhipave dhe për luks.
Por, me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit të Kosovës në vitin 2021, shpenzimet e tilla nuk janë ulur asnjëherë, por përkundrazi janë rritur në krahasim me qeveritë paraprake.
Shpenzimet për derivate të automjete, gjeneratorë dhe makineri
2025= 10.5 milionë euro
2024= 10.7 milionë euro
2023= 10.5 milionë euro
Shpenzimet për telefoni mobile
2025= 2.4 milionë euro
2024= 2.4 milionë euro
2023= 2.3 milionë euro
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ashpër ndaj shpenzimeve të fundit të shtetit gjatë tre viteve të fundit, duke i cilësuar ato si të tepruara dhe të pajustifikuara në raport me premtimet e Qeverisë.
Rukiqi ka vënë theksin veçanërisht te shpenzimet për vetura dhe shpenzime të tjera operative, duke thënë se ato kanë dalë përtej çdo kufiri të arsyeshëm.
“Këto shpenzime duket se e kanë kaluar çdo nivel të pranueshëm, këto janë shpenzime për vetura që shpenzojnë shumë, por për një qeveri që ka premtuar ndryshe, kjo e tejkalon çdo nivel të pranueshëm”.

