Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të enjten mbrëma në Mecklenburg-Vorpommern të Gjermanisë, ku një 29-vjeçar ka humbur jetën.
Sipas policisë, i riu ishte duke udhëtuar i vetëm me veturën e tij kur, në një kthesë, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me disa pemë anës rrugës.
Përplasja ka qenë aq e fuqishme sa automjeti është copëtuar në disa pjesë.
Disa prej tyre kanë marrë flakë dhe janë shuar nga zjarrfikësit, shkruan Bild.
29-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Rruga është mbyllur për rreth katër orë për shkak të operacionit të largimit të mbetjeve të automjetit.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e aksidentit, ndërsa dëmi material vlerësohet në rreth 60 mijë euro.


