Telenews

Përplasje, rezoluta të dështuara dhe shkarkime në Kuvend, këto ishin zhvillimet kryesore të seancës së së enjtes –

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të enjten një seancë plenare të ngarkuar me zhvillime të shumta, ku nuk munguan përplasjet mes pozitës dhe opozitës, kritikat ndaj ministrave, mosmiratimi i dy rezolutave dhe shkarkimi i katër anëtarëve të një institucioni të pavarur.

Seanca nisi me përkujtimin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me ç’rast në sallën e Kuvendit u shfaq një video kushtuar kësaj ngjarjeje. Në prag të përvjetorit të daljes së parë publike të UÇK-së dhe Ditës së Forcës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se po vazhdojnë përpjekjet për kthimin në Kosovë të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Shfaqja e videos nxiti reagimin e deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e cilësoi veprimin si hipokrizi politike. Ai kritikoi pushtetin, duke pretenduar se, përderisa shfaq pamje kushtuar UÇK-së, në të njëjtën kohë, bashkë me Listën Serbe, kishte lënë veteranët e luftës pa rritje të pagave.

Dështon rezoluta për shëndetësinë, 49 deputetë votojnë kundër

Një nga temat kryesore të seancës ishte gjendja në shëndetësi. Kuvendi nuk e miratoi propozim-rezolutën e dalë nga interpelanca me ministrin Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Kundër rezolutës votuan 49 deputetë, ndërsa 26 e mbështetën atë. Pas këtij rezultati, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, kritikoi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata kishin votuar kundër një rezolute që kërkonte furnizim të rregullt me barna për pacientët me kancer.

Kritika ndaj ministrit Vitia pati edhe nga deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, e cila kërkoi sqarime për mosrealizimin e një takimi me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, pas protestave të tyre dyditore.

Vitia mohoi se i ishte shmangur takimit, duke sqaruar se në ditën kur ishte paraparë të mbahej ai, në Kuvend po zhvillohej interpelanca ndaj tij. Ministri e cilësoi si të pandershme politizimin e mjekëve të rinj dhe tha se përfshirja e deputetëve në protestat e studentëve kishte motive politike.

Nuk kalon as rezoluta për energjinë elektrike

Mbështetjen e shumicës parlamentare nuk e mori as propozim-rezoluta lidhur me planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.

Kundër saj votuan 51 deputetë, ndërsa 27 votuan për. Asnjë deputet nuk abstenoi.

Shkarkohen katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës

Gjatë seancës, Kuvendi miratoi edhe shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Malsore Gashi-Bajraktari u shkarkua me 60 vota për dhe një abstenim, Eshref Shabani me 61 vota për, Arlinda Demi me 60 vota për dhe një abstenim, ndërsa për shkarkimin e Arben Mehmetit votuan 61 deputetë.

Dështon zgjedhja e dy anëtarëve shqiptarë të Bordit të RTK-së

Kuvendi nuk arriti t’i zgjedhë dy anëtarët nga komuniteti shqiptar në Bordin e RTK-së, pasi kandidatët nuk u paraqitën në procesin e intervistimit. Për këtë arsye, konkursi për këto pozita do të rishpallet.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, sqaroi se kandidatët nuk kishin dështuar në përmbushjen e kritereve, por ishin tërhequr nga gara. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikoi procesin, duke pretenduar se në përzgjedhjen e kandidatëve për bordet publike po ndikojnë preferencat politike.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, bëri të ditur se njëri prej kandidatëve kishte kërkuar që intervistimi të zhvillohej në formë virtuale, ndërsa të tjerët ishin tërhequr.

Megjithatë, Kuvendi zgjodhi dy anëtarë nga komunitetet joshumicë: Ana Kostiç nga komuniteti serb dhe Aldin Shabani nga komunitetet e tjera joshumicë. Pas shortit, atyre iu përcaktua mandat dyvjeçar.

Miratohet Këshilli Kombëtar i Shkencës, opozita ngre dyshime për ndikim politik

Me 67 vota për, një kundër dhe katër abstenime, Kuvendi miratoi emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Procesi u shoqërua me kritika nga opozita. Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, vuri në pikëpyetje përfaqësimin dhe kriteret profesionale të disa prej anëtarëve të propozuar, duke pretenduar se lista dominohej nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përplasje mes Kurtit dhe deputetëve të PDK-së për temat gjinore në shkolla

Seanca u karakterizua edhe nga përplasjet mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të PDK-së.

Deputeti Eman Rrahmani kërkoi nga Kurti të shpjegonte pse Qeveria e konsideron arritje përfshirjen e temave që lidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor në sistemin arsimor.

Në përgjigjen e tij, Kurti tha se diskutimet për arsimin dhe të drejtat e njeriut kërkojnë kuptim të saktë të dokumenteve dhe standardeve, duke iu referuar edhe debatit të mëhershëm për një doracak që kishte nxitur reagime publike.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, kërkoi sqarime nga kryeministri lidhur me bazën institucionale të ftesës që ai u kishte bërë pjesëtarëve të mërgatës për një takim. Ajo ngriti shqetësimin se veprimet e tij mund të krijonin perceptimin e ndërhyrjes politike në një proces që, sipas saj, i takon një institucioni të pavarur.

Gjatë diskutimit për arsimin, Musliu-Shoshi deklaroi se edhe Pakistani qëndron më mirë se Kosova në këtë fushë. Kurti iu kundërpërgjigj duke theksuar se Pakistani është fuqi bërthamore.

Debat për kompensimin e fermerëve për dëmet e vitit 2023

Një tjetër çështje e diskutuar ishte kompensimi i fermerëve për dëmet bujqësore të vitit 2023.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kërkoi nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja, sqarime për vonesat në kompensimin e fermerëve.

Muja deklaroi se ministria kishte realizuar pagesa prej rreth 2.6 milionë eurosh për dëmet e vitit 2022 dhe rreth 800 mijë eurosh për dëmet e vitit 2023. Ai sqaroi se një pjesë e paqartësive mund të lidhej me skemën e ndihmës së menjëhershme pas vërshimeve në Mitrovicë dhe Skenderaj, e cila nuk ishte administruar nga ministria që ai drejton.

Sipas Mujës, pagesat për dëmet bujqësore realizohen në bazë të procedurave institucionale dhe ministria duhet të presë miratimin nga Qeveria të raportit për vlerësimin e dëmeve.

Ymeri kërkoi sqarime shtesë, duke theksuar se edhe zyrtarët komunalë vazhdojnë të presin pagesat dhe se fermerët po marrin informacione të ndryshme nga institucionet. Ajo kërkoi që të përcaktohet qartë institucioni përgjegjës, në mënyrë që fermerët të dinë se ku duhet të drejtohen për përgjigje.

Të ngajshme

KFOR-i sjell ushtarakë të Ushtrisë së Serbisë në shtabin e tyre në Prishtinë

KushtrimGuraj

Ismail Dibrani i jep fund drejtimit të Shërbimit Korrektues –

KushtrimGuraj

Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë –

KushtrimGuraj
Lajmet po ngarkohen…