Ndërtimi i rrugës Mitrovicë-Prishtinë është në avancim, ku po punohet çdo ditë për realizimin e funksionalizimit të saj.
Kështu thotë dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shtuar se po bëhet gjithçka për të ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për një nga rrugët më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Punimet në këtë rrugë pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2025, pasi Ministria e Infrastrukturës nënshkroi kontratë të re për këtë segment rrugor më 8 shkurt të vitit 2024.
Pas nënshkrimit të kontratës, punimet kanë filluar menjëherë.
Projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë ka nisur në vitin 2009. Asokohe kishin nisur edhe punimet.
Megjithatë, pas më shumë se një dekade punimet janë zvarritur e disa herë ka pasur edhe shembje në pjesët ku ishte punuar.

