Rritja e temperaturave në mbarë vendin ka shtuar rrezikun për përhapje të vatrave të zjarrit. Më në rrezik janë pyjet dhe fushat ku ka lëvizje më të madhe të qytetarëve. Kjo ka bërë që të vihen në alarm institucionet. Kësisoj, me rritjen enorme të temperaturave të cilat tash po mbizotërojnë në vendin tonë, në masë të madhe janë rritur edhe rreziqet potenciale për përhapjen e mundshme të zjarreve edhe në rajonin e Pollogut kjo më së shumti për arsye se ky rajon posedon një vegjetacion të bujshëm dhe për këtë arsye nevojitet zgjuarsi maksimale dhe sjellje të përgjegjshme të secilit individ.
“Sektori i punëve të brendshme Tetovë, apelon qytetarët që të jenë syçelë dhe maksimalisht të kujdesshëm, nëse lëvizin dhe punojnë nëpër fushat e tyre apo nëpër pyje, të mos i djegin mbeturinat, megjet dhe kashtat nëpër arat e tyre dhe të mos hedhin djegurina të pa fikura mirë dhe cigare të ndezur”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.