Klubi i futbollit Prishtina dhe ish-aksionari, Afrim Muçiqi kanë hedhur kunja ndaj njëri-tjetrit.
Kryeqytetasit me anë të një njoftimi kanë thënë se Muçiqi nuk është pjesë e tyre, pasi ai i ftuar në një emision televiziv kishte deklaruar se ende është aksionar.
Muçiqi kishte folur edhe për trajnerin Ismet Munishin, duke thënë se nuk është i duhur për klubin prishtinas.
“FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor”, thuhet në reagim.
“Muçiqi së fundmi në një paraqitje televizive në T7 me datë 23.10.2022, ka deklaruar publikisht se ende është aksionar teksa e ka komentuar edhe trajnerin Ismet Munishi duke thënë se nuk është i duhuri për ekipin tonë!”.
Klubi nga Prishtina, ka deklaruar se janë të kënaqur me punën e Munishit.
“FC Prishtina është jashtëzakonisht e kënaqur me punën e Munishit, i cili erdhi te skuadra jonë në një moment aspak të mirë kur klubi përballej me borxhe të shumta financiare të trashëguara që nga koha e Muçiqit”.
Tutje, Prishtina e ka quajtur Muçiqin “Ylli i mikrofonit”, që ka të drejtë të flas si tifoz, por jo si sipas tyre, si pjesë e klubit.
“Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona”.
“Kujtojmë se Muçiqi i ka shitur aksionet e tij te aksionari tjetër në klub, Rrahman Haradini, me ç’rast së shpejti do të përkthehen edhe në ARBK”.
“Muçiqi nuk ka qenë pjesmarrës as në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku është zgjedhur kryetari i ri, Hakif Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të bordit: Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu dhe Ismet Begolli”.
Ish-aksionarit, Afrim Muçiqit duket se nuk i pëlqeu ky reagim, pasi ka komentuar në faqe të këtij klubi, duke ironizuar.


