Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, në rastin e protestës së organizuar nga mbështetësit e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, para godinës së saj, teksa brenda zhvillohej seanca për vlerësimin e masave të sigurisë.
“Nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin”, thuhet në një reagim të Gjykatës së Posaçme.
Gjykata e Posaçme thotë se nga ana e Gardës së Republikës është kërkuar vazhdimisht mbështetje nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë para godinave të Gjykatës dhe të SPAK-ut, por ka hasur në mosreagim të Policisë së Shtetit.
Sipas A2CNN, për këtë, Gjykata e Posaçme i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Qindra mbështetës të Erion Veliajt, mes tyre edhe artistë e sportistë të famshëm në vend, u mblodhën para godinës së Gjykatës së Posaçme dhe qëndruan aty deri në dhënien e vendimit për masat e sigurisë ndaj kryebashkiakut Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe biznesmenëve të akuzuar si të përfshirë në një skemë korruptive. Veliaj dhe Xoxa akuzohen edhe për pastrim parash dhe fshehje pasurie.