Të gjithëve na ka ndodhur zgjohemi pas një ëndrre që dukej aq reale, por brenda pak minutash gjithçka zbehet dhe nuk mbajmë mend asgjë. Pse i harrojmë ëndrrat kaq shpejt? A janë ato pa vlerë, apo truri ynë thjesht i “fshin” qëllimisht?
Studiuesit thonë se ëndrrat ndodhin kryesisht gjatë fazës REM të gjumit një periudhë kur truri është shumë aktiv, pothuajse aq sa kur jemi zgjuar. Por çelësi qëndron te pjesa e trurit që quhet hipokampus, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e kujtimeve afatgjata. Gjatë gjumit REM, hipokampusi nuk funksionon me të njëjtën efikasitet si kur jemi zgjuar. Kjo do të thotë se shumica e përmbajtjes që ëndërrojmë nuk “arkivohet” dot.
Sipas disa kërkimeve, brenda 5 minutave pas zgjimit, njeriu harron mbi 50% të ëndrrës. Dhe pas 10 minutash? Deri në 90% e saj zhduket nga kujtesa. Për këtë arsye, shumë persona që përpiqen të mbajnë një ditar ëndrrash këshillohen të shkruajnë menjëherë sapo të zgjohen, pa humbur kohë.
Por kjo nuk do të thotë që ëndrrat janë të padobishme. Përkundrazi, ato ndihmojnë në përpunimin e emocioneve, zgjidhjen e problemeve dhe madje përforcojnë kujtimet emocionale. Pra, edhe nëse nuk i mbajmë mend, ato ndihmojnë në mënyra të padukshme.
Në fund të ditës (apo më saktë, të natës), truri ynë punon më shumë seç mendojmë edhe kur fle.