Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen e pagave dhe sigurisë punëtore të punonjësve të sektorit privat.
Ai ka thënë se punëtorët e sektorit privat kërkojnë të paguhen konform Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Azemi ka kërkuar që punonjësit e sektorit privat, të cilët kryejnë shërbime të kontraktuar nga institucionet shtetërore, duhet të paguhen me pagë rreth 400 euro në muaj.
“Ne kemi disa mijëra punëtorë të cilët kryejnë shërbime për institucionet e Kosovës. Kemi mirëmbajtjen e objekteve të gjitha ministrive, gjitha ambulantave, gjitha fakulteteve. Kërkesa jonë është që të gjithë këta punëtorë të paguhen konform Ligjit të Pagave, e që nënkupton se këta punëtorë që nga muaji mars duhet të paguhen diku rreth 400 euro”, ka thënë ai.
“Meqë këta punëtorë paguhen direkt nga institucionet e shtetit, andaj kërkojmë që edhe paga e tyre të harmonizohet dhe të jetë konform Ligjit për Pagat”, ka deklaruar Azemi.
Në një konferencë për media të premten, Azemi ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë “goditur” shumë nga qeveria në dy vitet e fundit.
“Ne punëtorët e sektorit privat të Kosovës për dy vite jemi goditur fazë pas faze. U goditëm kur shteti ndau mjete për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit privat në sektorin shëndetësor nuk u paguan. Është shumë normal, ne lëndën e kemi dërguar në gjykatë”, tha Azemi.
Ai tha se më së shumti është zhgënjyer në momentin e rrëzimit të Projektligjit për Trustin në Kuvendin e Kosovës.
“Çka ishte më e rënda, ishte që disa parlamentarë të Kosovës aq shumë u gëzuan, aq shumë u zgërdhinë, kur Mimoza Kusari-Lila u kthye dhe shikoi nëse dikush prej deputetëve po voton pro këtij ligji dhe po qeshte”, tha Azemi.