Telenews

Punëtorët teknik në grevë bërlloku mbulon klasat, prindërit kërcënojnë me bojkot

Ndonëse viti i ri shkollor ka nisur, nxënësit në Prishtinë po përballen me një tjetër problem alarmues. Përveç vonesave dhe telasheve me tekstet shkollore, klasat janë mbuluar nga papastërtia, pasi punëtorët teknikë kanë hyrë në grevë që nga 1 shtatori.

Gjendja më shqetësuese raportohet në SHF “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku prindërit thonë se nuk do t’i lejojnë më fëmijët të ndjekin mësimin në kushte që, sipas tyre, rrezikojnë shëndetin e afro 3 mijë nxënësve.

Një prind i një nxënësi të klasës së gjashtë thotë se djali i tij vuan nga alergjitë dhe nuk mund të qëndrojë në klasa të mbushura me pluhur dhe papastërti, raporton Indeksonline.

“Unë nuk mund ta lejoj që fëmija im ta vazhdojë mësimin në këtë gjendje, pasi ai ka probleme me alergji”, u shpreh ai.

Për situatën ka reaguar ashpër edhe Këshilli Drejtues i Shkollës “Ismail Qemaili” dhe Këshilli i Prindërve (KPSH), të cilët i janë drejtuar me një letër urgjente Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë.

Në reagimin e tyre, ata e cilësojnë gjendjen e higjienës si “alarmante” dhe “tërësisht të papranueshme”.

“Siç jeni të informuar, stafi teknik (mirëmbajtësit) kanë hyrë sërish në grevë. Për shkak të kësaj situate, gjendja e pastërtisë në shkollë është bërë alarmante dhe tërësisht e papranueshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ne nuk mund dhe nuk do të tolerojmë që fëmijët tanë të rrezikohen nga infeksione të mundshme apo reaksione alergjike. Është e pakuptueshme që shërbimet thelbësore të pastërtisë të ndërpriten orë e çast pa asnjë konsideratë për mirëqenien e afro 3,000 nxënësve të kësaj shkolle. Fëmijët tanë nuk mund të përdoren si mjet presioni. Kjo situatë e përsëritur është e patolerueshme”, thuhet në letrën drejtuar drejtorisë komunale të arsimit.

Ndërkaq kanë kërkuar nga DKA që të veprojë pa vonesë të ndërhyjë urgjentisht tek operatori ekonomik përgjegjës për mirëmbajtjen e shkollës dhe të sigurojë zëvendësimin e menjëhershëm të stafit teknik, në mënyrë që shkolla të kthehet në kushte normale dhe të sigurta sanitare. Ndërsa kanë paralajmëruar se, nëse situata nuk zgjidhet, prindërit janë të vendosur të bojkotojnë mësimin.

“Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije në mënyrë shumë të qartë: nëse kjo situatë nuk zgjidhet urgjentisht, prindërit janë njëzëri të pajtimit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë (të bojkotojnë mësimin) derisa të rikthehen dhe të garantohen kushtet elementare higjienike për ta. Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis me shëndetin e fëmijëve tanë. Presim reagimin dhe ndërhyrjen tuaj urgjente gjatë ditës së sotme”, thuhet në letren e Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSh) dhe Këshillit të Prindërve (KPSH), drejtuar drejtorisë së Arsimit .

Ndryshe,punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës kanë hyrë në grevë nga 1 shtatori për shkak të mosrealizimit të pagave të mbetura për një pjesë të muajit korrik.

Kreu i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, ende nuk është gjetur një zgjidhje, ndërsa greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve.

Të ngajshme

19 të ndaluar dhe 35 aktakuza vetëm në 24 orët e fundit

Yllka Gashi

Stuhia në Shkup detyron avionin nga Cyrihu të devijojë drejt Prishtinës

Yllka Gashi

​E mërkura e kobshme në Kosovë, tre të vdekur nga aksidentet në trafik, polici shpëton

Yllka Gashi