Telenews

Putin: Të rifillojë prodhimi i raketave bërthamore me rreze të mesme

Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për rifillimin e prodhimit të raketave bërthamore me rreze të mesme dhe të shkurtër, që ishte ndaluar nëpërmjet një traktati me Shtetet e Bashkuara, tashmë të shfuqizuar.

Sipas ish-Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), të nënshkruar nga Mihail Gorbaçovi dhe Ronald Regani në vitin 1987, dy superfuqitë ranë dakort për të hequr dorë nga raketat balistike dhe me vetëdrejtim, bërthamore dhe konvencionale, me rreze nga 500 deri në 5500 kilometra.

Marrëveshja e nënshkruar eliminoi një kategori të tërë armësh bërthamore dhe filloi një sistem inspektimesh dhe verifikimesh në terren, thuhet në materialet e Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Sipas kushteve të traktatit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkatërruan 2692 raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme brenda afatit për zbatimin e traktatit, më 1 qershor 1991, sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve.

Duke filluar nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për moszbatim dhe dy vendet shkëmbyen akuza dhe mohime për moszbatimin për disa vite. Administrata e ish-presidentit Trump u tërhoq nga traktati në vitin 2019 pasi përmendi dyshimet për moszbatimin nga Rusia dhe shqetësimet për rezervat e raketave të Kinës.

Rikthimi i prodhimit të raketave është tani i nevojshëm, tha zoti Putin të premten gjatë një sesioni të transmetuar në televizion të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, sepse Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar prodhimin dhe vendosjen e raketave në Danimarkë dhe në Filipine.

“Sot dihet se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që prodhojnë nga këto sisteme raketash, por i kanë sjellë tashmë në Evropë për stërvitje, në Danimarkë. Kohët e fundit u njoftua se ato ndodhen në Filipine”, tha udhëheqësi rus.

Ushtria amerikane njoftoi në prill se kishte vendosur me sukses një sistem raketash me rreze të mesme në Luzonin Verior, në Filipine, në kuadrin e një stërvitjeje ushtarake. Ushtria amerikane tha se “dislokimi i rëndësishëm shënon një moment historik për këtë aftësi të re, ndërsa rrit ndërveprueshmërinë, gatishmërinë dhe aftësitë e mbrojtjes, në koordinim me Forcat e Armatosura të Filipineve”.

“Duhet të fillojmë prodhimin e këtyre sistemeve goditëse dhe më pas, bazuar në situatën aktuale, të marrim vendime se ku, nëse është e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë, t’i vendosim ato”, i tha zoti Putin këshillit.

Lajmet për mundësinë e rifillimit të prodhimit të raketave bërthamore vijnë ndërsa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë. Zoti Putin kërcënoi kohët e fundit se do të vendoste armë konvencionale në distancë goditëse ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë, nëse armët e tyre me rreze të gjatë të dhuruara Ukrainës do t’i lejonin Ukrainës të godiste më thellë brenda territorit të Rusisë./VOA/

Të ngajshme

Tentim vrasje në Skenderaj, theren me thikë dy të mitur – dërgohen në QKUK

KushtrimGuraj

Tayna nesër publikon këngën e re, duet me reperin grek!

Erzana Fazliu

James Rodriguez po rikthehet në Evropë, i propozohet skuadrës italiane

Erzana Fazliu