Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se Kosova po bën hapa të duhur në rrugën saj drejt të ardhmes evropiane.
Ai ka nënvizuar rolin e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtar të Kosovës për konsolidimin e shtetësisë së saj.
“Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit 20, pas luftës shkatërruese të viteve 1998-1999 ne i rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar ndërtuam shtëpinë e përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare të mirëfilltë me drejtësi dhe barazi për qytetarët e saj, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të gjitha pakicave, drejtësinë sociale dhe solidaritetin e ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror”, tha Kurti.
Para kabinetit qeveritar, Kurti tha se Kosova do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie.
“Një çerek shekulli pas luftës Republika jonë qëndron e fortë, ne qëndrojmë krenar se përkundër sfidave shteti jonë po zhvillohet. Mbi vullnetin të popullit të saj, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandarë. Ashtu sikur ditën që u shpall 16 vite më parë ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Andaj sot festojmë dhe urojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë”, theksoi Kurti.
Krahas kësaj, ai theksoi se Kosova po shënon progres ekonomik dhe shoqëror.
“Në lidhje me atë se ku jemi sot përgjigjen rezultatet pozitive, qofshin ato reformat tona të brendshme, në sundimin e ligjit dhe progresin ekonomik dhe shoqëror apo në suksesin e liberalizimit të vizave. Këto konfirmojnë se Kosova po bën hapat e drejt në rrugën e duhur drejt së ardhmes së saj evropiane. Integrimet euro-atlantike janë se duhet të jenë ylli jonë polar në rrugën nga po shkojmë”, theksoi Kurti./