Telenews

QKUK-ja kishte stërngarkesë në vikend, u bëhet thirrje qytetarëve që kjo qendër të shfrytëzohet vetëm për raste serioze

Gjatë ditëve të vikendit, Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është përballur me një fluks të lartë pacientësh, duke trajtuar gjithsej rreth 900 raste, çka dëshmon për një ngarkesë të jashtëzakonshme të punës.

Në njoftimin për media të SHSKUK-së thuhet se në këtë periudhë janë ofruar shërbime emergjente të natyrave të ndryshme, përfshirë 194 raste reanimimi, 302 trajtime internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike si dhe 33 raste që kanë kërkuar intervenime të vogla. Ndërsa 61 prej tyre kanë qenë raste të aksidentuara. Të gjitha këto shërbime janë realizuar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente.

“Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore. Qendra Klinike Universitare e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente të drejtohen fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale. Qendra Emergjente duhet të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën. Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të mundësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohën e duhur për pacientët që janë në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”, thuhet në njoftim./Telenews/

Të ngajshme

Tre kosovarë arrestohen në Durrës, kapen 80 kilogramë kanabis me vlerë rreth 1 milion euro

Yllka Gashi

Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Estonisë dhe babai i Kaja Kallas

Yllka Gashi

Tahiri: Pas 16 shtatorit, Thaçi duhet të rikthehet në zyrën e Presidentit

Yllka Gashi