Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se sot nga takimi në Bruksel, arritja kryesore në këtë drejtim është zhbllokimi i procesit.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova po jep kontribut për paqe, duke u ridëshmuar partner i rëndësishëm i SHBA-ve dhe partnerëve perëndimor në Ballkan.
Raci ka shtuar se me marrëveshjen që pritet të arrihet sot, do të mbyllet përgjithmonë çështja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës
Ai po ashtu ka thënë se njohja de-facto në mes të dy shteteve arrin kulmin dhe nga sot , Serbia detyrohet të njohë dhe pranojë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar miq,
Si një person që ka qenë i përfshirë në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, më lejoni që ta ndaj me ju një mendim timin të shkurtër për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot mbi propozimin Euro-Amerikan.
Arritja kryesore në këtë drejtim është zhbllokimi i procesit. Që nga viti 2016 në dialogun e Brukselit nuk ka pasur asnjë zhvillim pozitiv, vetëm degradim dhe acarim të raporteve. Me këtë rast Republika e Kosovës dhe njëherë po jep kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke u ridëshmuar partner i rëndësishëm i SHBA-ve dhe partnerëve perëndimor në Ballkan.
Duke qenë se dialogu kishte degraduar nga ai për fuqizimin e shtetit të Kosovës, kufijve, sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës në një dialog “Pazar” territoresh. Me marrëveshjen që pritet të arrihet sot mbyllet përgjithmonë çështja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Jetësohet moto e festimeve të 15 vjetorit të pavarësisë, “Kosova shtet për jetë”.
Njohja de-facto në mes të dy shteteve arrin kulmin. Nga sot e tutje, përveç tjerash, Serbia detyrohet të njohw dhe pranojw simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Zyrat ndërlidhëse kthehen në Përfaqësi të shteteve respektive, sipas Konventës së Vjenës dhe Kosovës i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Interpoli, UNESCO, Këshilli i Evropës, etj, do të jetësohen shumë shpejt, sidomos tash kur pozicioni ndërkombëtar rus është në nivelin më të ulët historik.
Prandaj, na priftë e mbara.
Urime Kosovë!

