Kryeministri i vendit ndodhet në Londër, ku në vijim të vizitave dhe agjendës së tij, këtë pasdite ishte i ftuar në forumin ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale “Future Resilience Forum 2025”.
I pyetur lidhur me progresin dhe të ardhmen e vendit, Rama u shpreh optimist se Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian dhe se për shqiptarët, unioni është një hapësirë paqeje. Rama shtoi ndër të tjera, se gjithmonë kur takon Zelensky, vendi i tij i duket parajsë.
“Sa herë takoj Zelensky dhe më thotë si shkojnë gjërat, unë i them kur të shoh ty jam njeriu më i lumtur i botës dhe vendi im është parajsa. Gjithçka është relative, sigurisht kemi prirje të harrojmë të keqen dhe nuk mjaftohemi me të mirën.
Mendoj që Shqipëria është në një pozitë të mirë, tani jemi në një moment përshpejtimi të madh në rrugëtimin drejt BE, rëndësia gjeopolitike nuk është vetëm me fjalë tashmë. Ata e kuptojnë që duhet të bëjën gjithçka për të bashkuar Ballkanin Perëndimor. E kuptojnë që BE ka dy kufij, një kufi të jashtëm dhe një të brendshëm dhe brenda saj gjendemi ne Ballkani Perëndimor.
Jam optimist që shumë shpejt, do të jemi anëtar të BE. Nëse gjërat ndryshojnë dhe Europa kthehet në zonën e rehatisë, gjërat mund të ndryshojnë.
Vizioni ynë përcaktohet nga historia jonë, nuk kemi pasur një periudhë të jetojmë sipas zgjedhjes sonë. Duam të jemi pjesë e BE dhe për ne është aq shumë sa për etërit themelues, një hapësirë paqeje dhe qetësie.
92 për qind e njerëzve duan që njerëzit të jenë pjesë e BE. Kemi një politikë kaq të polarizuar, por kur vjen fjala për BE të gjithë duan të jenë pjesë sepse e kemi të freskët në kujtesë sesi duken gjërat brenda BE. Britanikët kanë filluar ta kuptojnë sesi është të jesh jashtë BE, por nuk e pranojnë.”