Telenews

Raphinha jep sinjalin e madh për të ardhmen te Barcelona –

Raphinha ka dhënë sinjal të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën te Barcelona, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit të kontratës edhe përtej vitit 2028.

“E rinovova kontratën deri në vitin 2028 duke menduar se deri atëherë do të isha 30 ose 31 vjeç [Braziliani mbush 30 vjeç më 14 dhjetor] dhe nuk e dija se në çfarë forme do të isha. Por pas mënyrës se si e kam nisur sezonin, kam kuptuar se mund të vazhdoj edhe për disa vite të tjera. Prandaj, po, do të isha i lumtur ta zgjas kontratën edhe pak dhe ta përfundoj karrierën time këtu, pa pasur nevojë të shkoj diku tjetër”.

Kështu deklaroi Raphinha në një intervistë paraprake për radio-stacionin “RAC1”, e cila pritet të transmetohet e plotë më vonë.

Deklarata e brazilianit vjen në një kohë kur rinovimi i kontratës së tij me Barcelonën është diskutuar prej javësh.

Raphinha iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022, pas transferimit nga Leeds United. Në atë kohë, agjenti i tij ishte Deco, i cili më vonë mori detyrën e drejtorit sportiv të klubit katalanas.

Sulmuesi brazilian ishte në qendër të spekulimeve për një largim të mundshëm gjatë javëve të fundit të sezonit të kaluar. Në të njëjtën kohë, ai u përfshi edhe në raportime për një krizë të pretenduar familjare që kishte ndikuar në financat e familjes së tij.

Kjo situatë, së bashku me disa lëndime që e penguan të paraqitej në nivelin e tij më të mirë në fund të sezonit, shtoi zërat për një transferim të mundshëm.

Megjithatë, paraqitjet e Raphinhas kanë ndryshuar situatën.

Braziliani ka shënuar më shumë se 50 gola gjatë dy sezoneve të fundit dhe e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer sezonin aktual, duke luajtur në një rol të ri si qendërsulmues.

Brenda Barcelonës e pranojnë se “Raphinha nuk do të jetë këtu përgjithmonë”, ndërsa kjo, sipas raportimeve, ka ndikuar edhe në planet e klubit për transferimet e Gordonit dhe Adeyemit.

Pavarësisht kësaj, ndikimi i brazilianit në dhomën e zhveshjes vlerësohet si i rëndësishëm.

Interesimi për një transferim të tij tashmë është zbehur, ndërsa deklaratat e fundit të Raphinhas kanë dhënë një sinjal të qartë se ai dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou” dhe ta përfundojë karrierën te Barcelona.

Të ngajshme

Dalipi shkëlqen në Zvicër, tregon për interesimin e Kosovës dhe Shqipërisë –

KushtrimGuraj

Valon Berisha dhe Fidan Aliti nga sot nuk e mbrojnë fanellën e Kosovës

Yllka Gashi

Edhe Florent Hadërgjonaj largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës –

KushtrimGuraj