Telenews

Rashiq i përgjigjet akuzave të Radomiroviqit: “Sveçla më informoi për sjellje të dyshimta të tij, e luta Kurtin që ta shkarkonte”

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pas shkarkimit të zëvendësit të tij, Radoica Radomiroviq, tha se ishte i vetëdijshëm se ai nuk kishte “as karakter dhe as kapacitet intelektual” për atë pozitë, por se gazetarët “duhet t’i kuptojnë politikanët që të punojnë me atë që kanë [në dispozicion, v.j]”.

Nenad Rashiq ka organizuar sot një konferencë për media pas shkarkimit të ish-zëvendësministrit të tij, Radojica Radomiroviq, i cili në ndërkohë është larguar edhe nga partia e tij.

“Sa i përket ish-deputetit Radomiroviq, unë jam informuar nga kolegët e mi, si ministri Sveçla dhe si nga ministri Krasniqi, për disa sjellje të dyshimta politike të Radomiroviqit. Dhe në përputhje me performancën shumë të dobët që kam vërejtur, kam biseduar me Radomiroviqin rreth dy-tri javë më parë dhe i kam kërkuar të japë dorëheqjen, sepse në përgjithësi nuk jam i kënaqur me punën e tij. Fatkeqësisht, ai e mori pak në mënyrë dramatike dhe u largua nga partia, prandaj u detyrova të kërkoj nga kryeministri që të zëvendësohet zoti Radomiroviq”, shpjegon Rashiq.

Mirëpo, ai tani ka fjalë shumë të këqija për ish-zëvendësin e tij, me të cilin ka punuar për më shumë se një vit, dhe thekson se Radomiroviq është një “person shumë kontrovers”.

“E di dhe e kam ditur që në fillim se ai, për fat të keq, nuk ka as karakter, as kapacitete etike dhe as intelektuale për përfaqësim të lartë në qeveri, por duhet të kuptoni që ndonjëherë ne politikanët duhet të punojmë me atë çfarë kemi”, u tha Rashiq gazetarëve në konferencën për shtyp.

Ai më tej pohon se “ndryshimet në politikë janë krejtësisht normale” dhe se “nuk ka rëndësi nëse Rakiq apo Radomiroviq është zëvendësministër”, por drejtimi strategjik, i cili, siç thekson ai, është integrimi i serbëve të Kosovës në sistemin e Kosovës.

Në përgjigje të njoftimit të Radomiroviqit se do të formojë partinë e tij pas largimit nga partia e Rashiqit, ministri për Komunitete dhe Kthim tha se është “i gatshëm të vë bast se çfarëdo që të formohet, në atë moment do të ketë të njëjtin qëndrim si Lista Serbe”.

Kjo, thotë ai, flet shumë për mënyrën se si Radomiroviq ka punuar derisa ishte zëvendësministër.

Rashiq, megjithatë, thotë se “ka vënë re sjellje të papërshtatshme të Radomiroviqit në dy-tre muajt e fundit”.

“Radomiroviqi asnjëherë nuk ka mundur ta kalojë kontrollin e sigurisë”, tha ai.

Ku shkuan fondet?

Në përgjigje të akuzave të Radomiroviqit se mjetet e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, kryesisht shkojnë në Graçanicë, Lapllasellë dhe Dobrotin, e jo në Shtërpcë dhe në veri të Kosovës, Rashiq thotë se ekziston një listë me të dhëna për përfituesit, komunën dhe kombësinë dhe se ato do t’ia japin mediave për të vërtetuar nëse ndonjë rajon është diskriminuar.

Rashiq më tej thekson se ekziston një komision që punon në mënyrë të pavarur për të përcaktuar kushtet për aprovimin e projekteve.

Ai thekson se në veri të Kosovës përmes projekteve të ndryshme janë investuar 340 mijë euro.

Po ashtu, thotë ai, edhe për qytetarët në veri janë dhuruar materiale ndërtimore, që do të thotë se nga 33 kërkesa, 31 janë miratuar.

Rashiq thotë se qytetarët në veri nuk kanë pasur përvojë në paraqitjen e kërkesave për projekte dhe se, sipas tij, ka dërguar dy bashkëpunëtorë të tij atje “për t’i edukuar qytetarët për aplikimin”.

Të ngajshme

Raportohet pë E-mail kërcënues për bombë në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë

Rrezarta Ramaj

99-vjeçarja thyen rekordin botëror, realizon aventurën mbi krahun e avionit

Rrezarta Ramaj

Çitaku: Ajo që ndodhi më 16 shtator është krim ndaj drejtësisë dhe historisë

Rrezarta Ramaj