Telenews

Rasti i Arlindës, Kryeprokurori rekomandon suspendimin e Vuçetajt dhe Gacaferrit

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

“Po e konfirmoj”, ka thënë shkurt Gashi për Telegrafin.

Vendimi vjen pas zhvillimeve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, i cili ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.

Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të thirrur nga kryeprokurori Gashi.

Procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Rasti i 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.

Me inicimin e procedurës disiplinore dhe rekomandimin për suspendim, pritet që mekanizmat kompetentë të shqyrtojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtareve të përfshira në trajtimin e rastit.

Ndërkohë, lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e saj.

 

 

Të ngajshme

Suspendohet Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj

Rrezarta Ramaj

Ky është Faruk Muqolli, togeri nga Peja që neglizhoi ankesat e Arlinda Zekajt

Rrezarta Ramaj

Nga 7 mijë fjalë – Apeli ua lejon Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për ankesat

Rrezarta Ramaj