Telenews

Rekord unik i Interit në Botëror: Ka pasur lojtar në çdo finale të Kupës së Botës që nga viti 1982

Me kualifikimin e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026, Interi i Milanos ka vendosur një rekord të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit botëror.

Klubi italian është bërë i vetmi ekip që ka pasur të paktën një futbollist në finalen e Kupës së Botës në çdo edicion që nga viti 1982, një seri që tashmë ka arritur në 12 finale radhazi.

Këtë rekord e mban gjallë këtë vit pikërisht një nga heronjtë e gjysmëfinales së Argjentinës, Lautaro Martinez, i cili do të luajë edhe një herë në finalen e Botërorit, këtë herë ndaj Spanjës.

Seria e jashtëzakonshme e Interit nisi në Botërorin e Spanjës 1982, kur Italia u shpall kampione në “Santiago Bernabeu” pas fitores 3-1 ndaj Gjermanisë Perëndimore. Në atë skuadër ishin pesë futbollistë të Interit: Giuseppe Bergomi, Gabriele Oriali, Alessandro Altobelli, Ivano Bordon dhe Giuseppe “Beppe” Marini.

Katër vite më vonë, në Botërorin e Meksikës 1986, Karl-Heinz Rummenigge përfaqësoi Interin në finalen e humbur nga Gjermania Perëndimore ndaj Argjentinës së Diego Maradonës.

Në “Italia 1990”, tre lojtarë të Interit – Lothar Matthäus, Andreas Brehme dhe Jürgen Klinsmann – ishin pjesë e Gjermanisë që triumfoi në finale.

Në Botërorin 1994 në SHBA, Nicola Berti ishte pjesë e Italisë që humbi finalen ndaj Brazilit pas penalltive.

Katër vite më vonë, në Francë 1998, finalja kishte dy lojtarë të Interit: Youri Djorkaeff me Francën dhe Ronaldo Nazário me Brazilin.

Interi vazhdoi dominimin edhe në vitet 2000

Në Botërorin 2002 në Korenë e Jugut dhe Japoni, Ronaldo u shpall kampion bote me Brazilin, ndërsa ende ishte pjesë e Interit.

Në Gjermani 2006, Marco Materazzi ishte lojtari i vetëm i Interit në kombëtaren italiane dhe luajti një rol të rëndësishëm në finale, duke shënuar golin e barazimit ndaj Francës, para se Italia të triumfonte në penallti.

Në vitin 2010, Wesley Sneijder përfaqësoi Interin në finalen e Botërorit në Afrikën e Jugut, ku Holanda u mposht nga Spanja.

Në Brazil 2014, Rodrigo Palacio, Ricky Álvarez dhe Hugo Campagnaro luajtën me Argjentinën në finalen e humbur ndaj Gjermanisë.

Ndërsa në Rusi 2018, Marcelo Brozovic dhe Ivan Perisic ishin pjesë e Kroacisë që arriti deri në finale, por u mposht nga Franca.

Në Katar 2022, Lautaro Martinez u bë pjesë e kësaj liste duke fituar Kupën e Botës me Argjentinën, ndërsa tani do ta vazhdojë këtë traditë edhe në Botërorin 2026.

Me paraqitjen e Lautaros në finalen ndaj Spanjës, Interi do të mbajë gjallë një rekord të papërsëritshëm: një lojtar të klubit në çdo finale të Kupës së Botës për më shumë se katër dekada./Arbresh.info

Lista e lojtarëve të Interit në finalet e Botërorit që nga viti 1982:

  • 1982 (Spanjë): Giuseppe Bergomi, Gabriele Oriali, Alessandro Altobelli, Ivano Bordon, Beppe Marini – Itali
  • 1986 (Meksikë): Karl-Heinz Rummenigge – Gjermani Perëndimore
  • 1990 (Itali): Lothar Matthäus, Andreas Brehme, Jürgen Klinsmann – Gjermani Perëndimore
  • 1994 (SHBA): Nicola Berti – Itali
  • 1998 (Francë): Youri Djorkaeff – Francë, Ronaldo – Brazil
  • 2002 (Kore e Jugut/Japoni): Ronaldo – Brazil
  • 2006 (Gjermani): Marco Materazzi – Itali
  • 2010 (Afrika e Jugut): Wesley Sneijder – Holandë
  • 2014 (Brazil): Rodrigo Palacio, Ricky Álvarez, Hugo Campagnaro – Argjentinë
  • 2018 (Rusi): Marcelo Brozovic, Ivan Perisic – Kroaci
  • 2022 (Katar): Lautaro Martinez – Argjentinë
  • 2026 (SHBA, Meksikë, Kanada): Lautaro Martinez – Argjentinë

Të ngajshme

Mali i Zi heq regjimin pa viza për rusët

Rrezarta Ramaj

“Thikë me dy teha” Pse do dështojë plani i Trump për Iranin?

Rrezarta Ramaj

Pse mushkonjat pickojnë disa njerëz më shumë se të tjerët

Rrezarta Ramaj