Klinika e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka rikthyer shërbimin e rëndësishëm ESWL (Extracorporeal Shock Wave Lithotripsy) për trajtimin e gurëve në veshka dhe sistemin urinar.
Ky shërbim ka qenë jashtë funksionit për një periudhë të caktuar, por tashmë është rikthyer në një hapësirë të rinovuar, që ofron standarde të reja dhe kushte moderne për pacientët.
Në njoftim thuhet se për të përmirësuar efikasitetin dhe qasjen për qytetarët, është zgjeruar edhe orari i shërbimit, duke ofruar trajtime në dy ndërrime.
Ky ndryshim synon të përshpejtojë procedurat dhe të reduktojë kohën e pritjes për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim.
Pajisja për ESWL është vendosur jashtë sallave operative, një masë e ndërmarrë për të shmangur rreziqet e infeksioneve dhe për të garantuar kushte më të sigurta gjatë procedurave.
Rikthimi i këtij shërbimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke reflektuar përkushtimin për modernizimin e kujdesit ndaj pacientëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës mjekësore.