Roma e ka identifikuar mesfushorin e Benficas, Florentino Luis, si një objektiv kyç për të përforcuar repartin e mesfushës në këto 20 ditë të mbetura të afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve të Fabrizio Romano.
Klubi italian është në kërkim të një lojtari me profil mbrojtës që të përshtatet në mënyrë perfekte me idetë taktike të trajnerit Gian Piero Gasperini.
Mesfushori 25-vjeçar vlerësohet shumë për aftësitë e tij mbrojtëse, ndërgjegjësimin e lartë taktik dhe aftësinë për rikuperimin e topit. Ai gjithashtu njihet për qetësinë e tij në menaxhimin e situatave të vështira në lojë, gjë që e bën tërheqës për shumë klube elitare në Evropë.
Pikërisht këto cilësi e bëjnë Florentinon një lojtar ideal për sistemin që Gasperini synon të zbatojë te Roma.
Trajneri italian kërkon një mesfushor që mund të ofrojë siguri prapa, të thyejë aksionet e kundërshtarit dhe të nisë sulmet e shpejta, dhe Florentino shihet si profili i duhur.
Megjithatë, rruga drejt transferimit nuk pritet të jetë e lehtë. Benfica e vlerëson lojtarin me një shifër të lartë, rreth 30 milionë euro, që për Romën do të ishte një investim i konsiderueshëm duke pasur parasysh buxhetin e kufizuar.
Florentino Luis kërkohet edhe nga disa klube angleze, por ai i është ofruar edhe Juventusi çka e bën më të vështirë transferimin e tij në Olimpico.
Gjithsesi palët janë në kontakt dhe Florentino Luis mbetet një nga objektivat kryesorë të Romës për ta përforcuar mesfushën.