Telenews

Rruga evropiane e Kosovës, temë diskutimi mes Haxhiut e Costas

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat.

U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Presidentin Costa për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror.

Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake.

Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane.

U.d. Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.

Të ngajshme

Sali Berisha flet për Zvernecin: Mbështesim investimin e huaj, Sazanin e kam ofruar unë dhe Nano

Rrezarta Ramaj

Gara e Çiklizmit do t’i bllokojë përkohësisht disa rrugë e autostrada

Rrezarta Ramaj

Lushtaku i reagon Sveçlës: Si dezertor i luftës që je, nuk mund të flasësh për burrëri

Rrezarta Ramaj